Varhelji: Shqipëria i plotëson kushtet, Maqedonia dhe Bullgaria të gjejnë zgjidhje- Zaev thotë se nuk negociojnë për identitetin

Komisioneri për Zgjerim i BE-së Oliver Varhelji, nga Forumi Ekonomik në Tiranë, tha “Maqedonia duhet të vazhdojë ritmin e reformave, por është e rëndësishme të gjenden zgjidhje të shpejta dhe të pranueshme nga të dyja palët për çështjet bilaterale me Bullgarinë”, njofton Portalb.mk.

Lidhur me zgjerimin e Unionit, Varhelji tha se metodologjia e re në Union ndikoi në draft kornizën negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa vendet anëtare nuk kanë arritur ende marrëveshje dhe se diskutimet vazhdojnë. Ai në fjalimin e tij tha se shpreson që konferencat e para ndërqeveritare do të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, gjatë presidencës portugeze të Unionit.

Për Shqipërinë tha se janë përmbushur të gjitha kushtet, ndërsa për Maqedoninë se është e rëndësishme të gjendet zgjidhje për çështjen me Bullgarinë.

“Komisioni konsideron se të gjitha kushtet janë përmbushur për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë për fillimin e negociatave me BE-në, në sajë të reformave të rëndësishme në ligjin zgjedhor, shtetin e së drejtës dhe gjyqësorin, duke përfshirë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Maqedonia e Veriut po ecën me hapin me zbatimin e reformave të BE-së, por e rëndësishme është që të gjendet zgjidhje e shpejtë dhe e pranueshme nga të dy palët për çështjet bilaterale midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, tha Varheji.

Ai kujtoi se BE-ja premtoi se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë pjesë e Unionit, por gjithashtu se partnerët e tyre në rajon premtuan se do të bëjnë reforma që të bëhet realitet.

Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, u shpreh decid se nuk do të negociohet për çështjen e identitetit maqedonas me Bullgarinë, edhe pse duan që të kenë marrëdhënie paqësore me vendet fqinje.

“Maqedonia e Veriut nuk ka pasur kurrë ndonjë interes tjetër përveç të bashkëjetojë në mënyrë paqësore dhe dinjitoze me fqinjët e saj dhe me të gjitha kombet dhe etnitë në Evropë. Por të jem i qartë dhe ta përsëris edhe një herë qëndrimin e Qeverisë. Ne kurrë nuk do të lejojmë veten të flasim për atë që nuk mund të flitet. Ndërsa ajo është kush jemi, cilat janë atributet tona të identitetit dhe cila është gjeneza e shtetësisë dhe gjuhës sonë”, tha Zaev.

Maqedonia nga dhjetori i vitit të kaluar ka veton e Bullgarisë me arsyetimin se Shkupi nuk e respekton Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë. Sofja këmbëngul gjithashtu në njohjen e rrënjëve bullgare të historisë maqedonase, kombësinë dhe gjuhën maqedonase, të cilën autoritetet maqedonase e kanë kundërshtuar, duke thënë se “identiteti dhe gjuha nuk do të negociohen“. Që nga ajo kohë, një luftë retorike është zhvilluar pothuajse çdo ditë midis Sofjes dhe Shkupit edhe krahas përpjekjeve e ndërmjetësve special dhe me përpjekje për miratimin e Planit Aksional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button