Nëntë shtete anëtare të BE-së po kërkojnë që Ballkani Perëndimor të kthehet në agjendë

Nëntë vende anëtare të BE-së i kanë bërë thirrje shefit të politikës së jashtme të BE Xhozef Borel që të kenë diskutim strategjik mbi vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivat e tyre gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në prill, transmeton Portalb.mk.

Kjo thuhet në letrën që është vënë në dispozicion të Euroaktiv.

“Besojmë se është koha për të parë Ballkanin Perëndimor në aspektin strategjik” kanë shkruar ministrat e jashtëm të Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Në letrën të datës 5 mars, ata pohojnë se “shumë gjëra kanë ndryshuar” që nga diskutimi i fundit i zgjerimit në gusht 2019, veçanërisht se “ka pasur zhvillime dinamike politike të brendshme në vendet e rajonit”.

Procesi i zgjerimit duket se ka marrë hov të ri pranverën e kaluar kur Maqedonia dhe Shqipëria morën dritën e gjelbër të ministrave të BE-së për të filluar negociatat më vonë atë vit.

Megjithatë, procesi ngeci kur Bullgaria vuri veton në fillimin e negociatave të Maqedonisë për shkak të ndryshimeve rreth historisë dhe gjuhës.

Vetoja e Bullgarisë e preku edhe Shqipërinë, pasi anëtarët e BE-së e shohin pranimin e Shkupit dhe Tiranës si një “marrëveshje në një pako”. Mungesa e progresit konkret ka ardhur në duart e vendeve të Evropës Perëndimore, veçanërisht Francës, opinioni publik i së cilës është bërë skeptik për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, veçanërisht në dritën e zgjedhjeve presidenciale të ardhshme 2022.

Megjithëse BE është donatori dhe partneri më i madh tregtar në Ballkanin Perëndimor, përpjekjet për ta sjellë rajonin më afër kanë ngecur nga kërkesat e bllokut për reforma dhe mosgatishmëria e vendeve për t’i zbatuar ato.

“Pandemia i përkeqësoi tendencat ekzistuese, duke përfshirë implikimet gjeopolitike. Aktorë të tjerë janë të gatshëm të ndërhyjnë në çështjet rajonale, shpesh në kurrizin tonë”, kanë shkruar nëntë ministrat e jashtëm të BE-së për trajtimin me vonesë dhe shumë të kritikuar të mbështetjes së BE-së në rajon në faza të ndryshme të krizës shëndetësore me koronën.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia – shtëpi e rreth 20 milion njerëzve – kanë luftuar për të fituar qasje në vaksinat kovid-19 nga shumë kompani dhe programe dhe do të mbeten shumë prapa përpjekjeve të BE për imunitet përmes imunizimit të shpejtë dhe masiv.

Trembëdhjetë shtete anëtare i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian për të mbështetur vendet e Partneritetit Lindor në përpjekjet e tyre për të fituar qasje të ndershme në vaksinat KOVID-19, thuhet në letrën të përbashkët që e ka parë Euroaktiv.

“Ndërkohë që BE mobilizon mbështetje dërrmuese për rajonin, aktorë të tjerë kanë qenë më efektivë në prezantimin e mbështetjes së tyre, duke minuar sigurinë, besueshmërinë dhe perceptimin e solidaritetit tonë,” kanë theksuar nënshkruesit e letrës.

Në një deklaratë të veçantë dërguar Euroaktive, Ministria e jashtme Kroate ka publikuar se “është e rëndësishme për besueshmërinë e BE-së që, si partneri më i rëndësishëm i rajonit, të kihet qasje gjithëpërfshirëse ndaj tij”. Në deklaratë theksohet nevoja për t’i “ndihmuar Bosnje dhe Hercegovinës në përmirësimin e funksionimit dhe stabilitetit të saj”.

Kritikët prej kohësh po sugjerojnë që “diplomacia për maska e vaksina” e Kinës synon të ndërtojë afrimin me Ballkanin Perëndimor në një kohë kur bashkëpunimi midis Brukselit dhe Uashingtonit është i dobët.

“Si BE, duhet t’i qasemi rajonit jo vetëm përmes prizmit të zgjerimit, por edhe përmes një politike të qartë të jashtme”, kanë theksuar nëntë ministrat e jashtëm, duke shtuar se BE duhet të medojë “si t’u përgjigjet zhvillimeve të brendshme në terren dhe një angazhim më aktiv të aktorëve të tretë”.

Një diplomat i BE-së, njohës i mirë i çështjes së zgjerimit e theksoi edhe rëndësinë e politikës proaktive të BE-së në rajon.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë status të ndryshëm për sa i përket integrimit në BE, por çështja është që t’i lejojmë ata të ecin përpara, të hapin negociatat. Të gjithë e dimë se do të jetë një rrugë e gjatë dhe me gjarpërime, por duhet t’i përfshijmë në proces”, tha ai për Euroaktive.

“Nëse nuk e shtyjmë këtë agjendë, do të lejojmë që lojtarët tjerë të kenë ndikim politik dhe ekonomik në rajon, që sigurisht nuk është në interes të BE-së” paralajmëroi diplomati.

Ministrat e jashtëm të BE gjithashtu vunë në dukje se nën drejtimin e Xho Bajden “Shtetet e Bashkuara po përgatiten të ribashkohen me rajonin” dhe se “duke punuar krah për krah me ta si partneri ynë kryesor, kërkon prej nesh të kemi qëndrim të përbashkët”.

Nën administratën e mëparshme të Trampit, Kosova dhe Serbia ranë dakord mbi një pakt për të normalizuar marrëdhëniet ekonomike, pa përfshirje të rëndësishme të BE-së.

Zyrtarët në Bruksel tani shpresojnë që rivendosja transatlantike të ndihmojë gjithashtu ringjalljen e dialogut Beograd-Prishtinë të udhëhequr nga BE, i cili është parakusht për të dy vendet të përparojnë perspektivat e tyre për në BE, shkruan Euroaktiv.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button