Marrja e nënshtetësisë bullgare ka depërtuar tek ‘pakicat’ në Shqipëri, por nuk pohohet zyrtarisht
Fenomeni i pajisjes më pasaportë bullgare, prej vitesh është i pranishëm edhe në Shqipëri. Ndërkohë 10 vitet e fundit, sipas kryediplomates bullgare, rreth 90.000 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë përfituar pasaportën e këtij vendi. Jozyrtarisht pranohet se edhe shumë anëtarë të komuniteteve në Shqipëri, që shtrihet në zonën e Gorës në Kukës, Gollobordës në Librazhd dhe Prespës në qarkun Korçë, rezultojnë të kenë marrë pasaportë bullgare, pasi janë pajisur me vërtetimin se i përkasin minoritetit, të njohur ligjërisht në 2017-n. Por Ambasada Bullgare në Tiranë dhe Ministria e Punëve të Jashtme refuzuan të përgjigjen mbi numrin e shqiptarëve që kanë aplikuar dhe përfituar nënshtetësinë, shkruan Faktoje.al, transmeton Portalb.mk.
Marrja e pasaportave bullgare në Maqedoninë e Veriut është një çështje shumë aktuale këto 10 vitet e fundit. Me qëllim që të sigurojnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian, mijëra qytetarë maqedonas, çdo vit aplikojnë për të marrë pasaportë bullgare dhe largohen nga Maqedonia e Veriut drejt BE-së. Sipas raportimit të mediave në Maqedoninë e Veriut, përveç qytetarëve të thjeshtë, me pasaportë bullgare janë të pajisur edhe shumë sipërmarrës apo figura publike. Megjithatë, zyrtarisht nuk ka të dhëna të sakta se sa shtetas të RMV-së kanë marrë shtetësinë bullgare, edhe pse shifrat llogariten të shkojnë nga 50 000 deri në 100 000. Në dhjetor të vitit të kaluar, ministrja e Drejtësisë bullgare Desislava Ahladova deklaroi në Parlamentin bullgar se nga 1 janari 2010 deri më 22 tetor 2020, pothuajse 78.000 shtetas maqedonas aplikuan për shtetësi bullgare dhe pothuajse 90% e tyre e morën atë.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva dha shifra edhe më të larta lidhur me këtë proces.
“Në dhjetë vitet e kaluara 88.450 maqedonas kanë marrë nënshtetësi bullgare në bazë të prejardhjes së tyre. Ata janë nënshtetas bullgarë dhe evropianë. Ato kanë të drejtë në vetpërcaktim.”- tha Zaharieva për Welt.
Ndryshe nga Republika e Maqedonisë së Veriut, për të cilën ka deklarata dhe shifra zyrtare nga Bullgaria për dhënien e nënshtetësisë bullgare, për Shqipërinë ky informacion ende mungon.
Gjatë verifikimeve të saj, Faktoje mësoi se ‘ethet’ për pajisjen me pasaporta bullgare, kanë përfshirë prej disa vitesh edhe shtetasit shqiptarë në territorin e Republikës së Shqipërisë, paçka se zyrtarisht kjo rezultoi thuajse e pamundur të konfirmohet.
Ajo që dihet e sigurt është se pas një lobimi intensiv nga Bullgaria (vend anëtar i BE prej janarit të vitit 2007) Kuvendi i Shqipërisë njohu zyrtarisht, në tetor 2017 ekzistencën e pakicave bullgare në territorin e saj. Ky minoritet është një nga 9 komunitetet minoritare në vendin tonë, megjithatë numër zyrtar të popullësisë së këtij minoriteti nuk ka, pasi censusi i fundit është bërë në 2011-n.
“Sipas të dhënave të cilat disponojmë, aktualisht 50 mijë janë njerëzit në Shqipëri, për të cilët gjuha bullgare është amtare. Por a do të deklarojnë ata identitetin e tyre në mënyrë të sinqertë, varet nga shumë faktorë dhe në vend të parë nga diplomacia bullgare, e cila duhet të kërkojë nga autoritetet përgjegjëse shqiptare të ushtrojnë kontroll sa u përket tentativave për ndërrimin e identitetit kombëtar të bashkatdhetarëve tanë.”- citohet të ketë thënë profesori i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë Spas Tashev.
Gjeografikisht komuniteti në fjalë, është heterogjen dhe shtrihet në 3 zona të ndryshme nga verilindja deri në juglindje të vendit, respektivisht në zonën e Gorës (Shishtavecit në Kukës), Gollobordës (Stëblevës në Librazhd) dhe Prespës, qarku Korçë.
Kjo është ende pjesë e një debati të nxehtë diplomatik dhe politik, ku përballen pretendime të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbi përkatësinë kombëtare të pakicave që banojnë territorin shqiptar.
Këtë situatë e ceku së fundi edhe kryeministri Rama gjatë vizitës së fundit në Bruksel më 1 mars:
“U frikësova shumë që nga momenti i parë që kuptova së ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë po bëhen diskutime për çështje identiteti. Është diskutimi më i keq i mundshëm për të bërë ndërkohë që ne kemi nevojë për konsensusin nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian për të vijuar hapin e mëtejshëm, sepse është emocional, sepse është e ndërlikuar.”
Përtej këtij debati, Faktoje u mor me kërkimet që kanë lidhje drejtpërdrejtë me numrin e shqiptarëve që kërkojnë të bëhen shtetas bullgarë, përmes pajisjes me vërtetime se i përkasin minoritetit bullgar në Shqipëri.
Gjatë një kërkimi në rrjetet sociale, ne gjetëm disa faqe që mundësojnë ndërmjetësimin për përfitimin e nënshtetësisë bullgare. Aty renditen dokumentet që duhen dorëzuar për nisjen aplikimit.
Ne arritëm të kontaktojmë edhe me disa qytetarë shqiptarë që janë pajisur me pasaportë bullgare, ose janë në proces të përfitimit të saj, si pjesë e minoritetit në fjalë.
Alla është një ndër personat e shumtë që është larguar drejt Mbretërisë së Bashkuar, (pak përpara daljes së saj nga BE, Brexit-it) pas marrjes së pasaportës bullgare. Mundësinë për pajisjen me nënshtetësi bullgare e mësoi nga shumë të rinj të tjerë që kanë shfrytëzuar prejardhjen, një lidhje familjare, qoftë edhe një martesë për të përfituar nënshtetësinë.
Me vendlindje Librazhdin, për të realizuar ëndrrën, ai plotësoi dokumentacionin e kërkuar, realizoi intervistën dhe vijoi procedurat në shtetin bullgar. Pas pritjes disamujore Allës iu miratua përmes dekretit nga Bullgaria marrja e nënshtetësisë.
A.C. është një grua në pritje të një interviste në Ministrinë e Jashtme bullgare, për të vijuar procesin e marrjes së nënshtetësisë. Duke na kërkuar me ngulm që të mos publikojmë asnjë të dhënë tjetër mbi identitetin apo statusin e saj, ajo na tregon se për të arritur deri në fazën e kualifikimit, së pari është pajisur me një vërtetim nga shoqata shoqata “Prosperitet Golloborda”, për prejardhjen e saj bullgare. Dokumentacioni, siç tregon ajo dërgohet në Ambasadën Bullgare dhe procedura vijon me ministrinë e Jashtme të Bullgarisë ku aplikanti jep intervistën dhe pret në fund dekretin e presidencës së këtij shteti për miratimin e nënshtetësisë.
P.B. i lindur dhe i rritur në Tiranë, është me origjinë nga zona e Gollobordës, me babanë nga Ostreni dhe nënën nga Këlenja.
“Pasaportën doja ta merrja për çështje të identitetit tim. Çdo njeri mund të mendojë ndryshe për këtë pjesë, por për mua është e rëndësishme si çështje e identitetit tim. Por edhe 50% është dëshira për të lëvizuar. Por varet si do shkojë situata këtu, se po të rregullohet situata këtu unë nuk lëviz. E kam 50-50 këtë pjesë, edhe për të ikur, edhe për të ndenjur, por varet gjithmonë se si do shkojë këtu.” – shprehet ai për Faktoje.
Procedurat për t’u pajisur me pasaportën bullgare i nisi në vitin 2016, ndërsa rreth 4 vite më vonë, në vitin 2020, ai mori konfirmimin që aplikimi i tij është miratuar dhe pasaporta është vetëm në pritje për të kaluar në Presidencë.
“Në fillim e morën familjarët e mi, çunat e dajës. Më thanë që në fillim të viteve 2000’ që shko ta bësh, por unë e lashë sa të vinte dhe fëmija në një moshë të përshtatshme. Dëshira për ta bërë pasaportën ishte që atëherë” – përmbyll ai për Faktoje.
Faktoje u përpoq të kontaktonte me shoqatat përfaqësuese të komunitetit bullgar në Shqipëri, njëra prej të cilave është ‘Prospertitet Golloborda’, që njihet për mbështetjen dhe ndihmën që i jep të gjithë banorëve të pakicës bullgare, që kërkojnë të përfitojnë nënshtetësi bullgare. Ne biseduam përmes telefonit me kryetarin e kësaj shoqate, zotin Haxhi Pirushi, të cilin e pyetëm për numrin e personave të interesuar për pasaportë bullgare, që ishin paraqitur tek shoqata që ai drejton.
“Në zyrën time për të aplikuar nga viti 2006 deri më sot nuk kanë ardhur më shumë se 2000 – 2500 persona. Ndërsa për numrin e atyre që e kanë përfituar nuk di t’ju them. Ne kemi kërkuar që të kishim informacion në mënyrë të vazhdueshme, por deri tani nuk ia kemi arritur.”
Shoqatat që lidhen me komunitetin bullgar në Shqipëri, janë krijuar pas vitit 1991 e në vijim dhe janë angazhuar rregullisht në promovimin dhe trashëgiminë e traditave të minoritetit.
Nga interesimi i Faktojes në zonën e Gollobordës (Steblevës) vërehet një tendencë e lartë për pajisjen e banorëve me pasaportë bullgare, për të pasur të hapur rrugën për vendet e tjera të BE-së. Një pjesë e mirë e gollobordasve, thonë se kanë një prejardhje të largët bullgare edhe përpara se komuniteti të njihej më ligj nga Kuvendi i Shqipërisë në 2017-n pa u përcaktuar minoritet. Ndërkohë shumica e familjeve janë zhvendosur herët drejt Elbasanit dhe Tiranës, por kanë mbajtur pronën dhe tokat në fshatrat e njësisë administrative të Steblevës në kufi me Dibrën e Madhe. Burimet konfidenciale i thanë Faktojes se rreth 80% e banorëve të zonës së Steblevës që kanë kërkuar marrjen e nënshteësisë, janë ndihmuar nga shoqatat për një aplikim të suksesshëm, për t’u bërë shtetas bullgarë. Megjithatë gjatë hulumtimit për këtë shkrim Faktoje hasi në hermetizim të institucioneve për publikimin e të dhënave lidhur me këtë fenomen.
Faktoje i dërgoi kërkesë zyrtare për informacion, Ministrisë së Jashtme dhe Ambasadës Bullgare në Tiranë ku pyeste për numrin e shtetasve shqiptarë që janë pajisur me pasaportë bullgare.
Deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi përgjigje prej tyre.
Video materialin e Faktoje.al mbi këtë temë, mund ta ndiqni në këtë link.