Shtefan Fyle në Shkup më 19 shkurt

Dialogu politik në vend, me sa duket ka nxitur edhe një vizitë të komisionarit evropian për zgjerim, Shtefan Fyle.  Fyle ka paralajmëruar vizitën e tij të radhës për datën 19 të këtij muaji. Mes objektivave të tija kryesore, ceket tejkalimi i krizës politike në Maqedoni dhe organizimi i zgjedhjeve lokale të 24 marsit.

Sipas burimeve diplomatike evropiane në Shkup, ekzistojnë gjasa reale që Fyle të arrijë marrëveshje me palët politike në Maqedoni, duke rezultuar kështu me tejkalimin e krizës që kaploi vendin pas ngjarjeve të 24 dhjetorit në Kuvend. 

Evrokomesari për zgjerim, do të shoqërohet nga Drejtori i Drejtorisë së përgjithshme për zgjerimin e BE-së, Stefan Sanino. Në suaza të kësaj vizite, parashikohen takime me përfaqësuesit më të lartë të partive udhëheqëse politike. 

Gjatë periudhës së ardhshme, Maqedoninë do të vizitojnë edhe përfaqësues të tjerë eminent të BE-së. Një ndër ta, bëhet e ditur, do të jetë edhe raportuesi për Republikën e Maqedonisë në Parlamentin Evropian, Riçard Hovit.  Hovit po ashtu do të fokusohet në çbllokimin e ngërçit politik në vend. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button