RMV, lloji britanik i koronavirusit ka rritur numrin e pacientëve, është shumë më i transmetueshëm
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, tha se rritja e numrit të të infektuarve me kovid-19 në ditët e fundit është për shkak të pranisë së “llojit britanik” të virusit, për të cilin është karakteristik fakti se i njëjti përhapet shumë shpejt. Ai, gjithashtu deklaroi se rreth 180 mijë qytetarë të moshës mbi 70 vjeç dhe me sëmundje kronike janë të regjistruar në sistemin “Termi im”, njofton Portalb.mk.
“Rreth 50 mijë prej tyre tashmë për vaksinim janë paraqitur përmes ueb-faqes” Vakcinacija.mk “ose përmes mjekëve amë, megjithatë ne kemi mekanizma shtesë që do t’i aktivizojmë. Kjo është diçka për të cilën edhe tani ekipi përgjegjës po punon në mënyrë aktive. Të rëndësishme janë disa gjëra, para së gjithash që përqindja e punonjësve shëndetësorë që kanë treguar interes për t’u vaksinuar është jashtëzakonisht e lartë. Ne në periudhën vijuese, jo më shumë se 10 deri në 14 ditë, do të përfundojmë procesin e imunizimit të të gjithë profesionistëve shëndetësorë, afërisht 4000 që punojnë me pacientë kovid. Jemi të kënaqur me përgjigjen dhe mënyrën e kryerjes së vaksinimit”, theksoi Filipçe.
Ministri Filipçe nënvizoi se këtë mëngjes drejtori i Stopanska Bankës në takimin me rastin e donimit theksoi se interesi për profesionistët shëndetësorë në Greqi është shumë i vogël, rreth 25%.
“Konsideroj se interesi i mjekëve dhe infermierëve tanë është sinjal i shkëlqyeshëm për vaksinimin e të gjithë popullatës. Në mënyrë shtesë, ne planifikojmë fushata, thirrje përmes mjekëve amë. Sinqerisht besoj se ashtu siç bëmë kur kishte epidemi të fruthit, do ta bëjmë edhe tani”, tha Filipçe.
Kreu i Shëndetësisë, tha se rritja e numrit të të infektuarve me kovid-19 në ditët e fundit është për shkak të pranisë së “llojit britanik” të virusit, për të cilin është karakteristik fakti se i njëjti përhapet shumë shpejt. Analizat e AShAM-it do të publikohen në ditët në vijim, ndërsa nga klinika private Zhan Mitrev theksojnë se sipas analizave të tyre, te 70% e pacientëve është detektuar “lloji britanik”. Filipçe thotë se në disa qytete të vendit numri i hospitalizimeve është rritur, por jo në atë masë që të rrezikohen kakacitetet spitalore.
“Në disa prej spitaleve të vendit, konkretisht Kavadar, Prilep dhe Ohër, është rritur numri i të hospitalizuarve, por ka kapacitet të mjafuteshëm spitalor. Në Shkup shtretër të lirë spitalorë ka ka edhe në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, pa spitalin modular, hapësirë të konsiderueshme spitalore ka edhe në Klinikat Interne, të cilat tani funksionojnë normalisht. Në çdo moment jemi të gatshëm t’i kthejmë të gjitha këto pajisje në mënyrën e mëparshme të funksionimit kur kishim rotacion të të gjithë mjekëve dhe infermierëve dhe kur të gjitha repartet e interne ishin destinuar për trajtimin e pacientëve me kovid. Unë jam në komunikim të përditshëm me drejtorët e të gjitha atyre Klinikave, ata janë të vetëdijshëm, e dinë dhe presin” tha Filipçe.
Sipas raportit javor të Institutit të Shëndetit Publik në periudhën nga 15 deri më 21 shkurt 2021, janë testuar gjithsej 15.849 materiale në laboratorët ku kryhet testimi molekular dhe testimi i antigjenit për praninë e SARS-CoV-2, me një rënie prej 2.8% në krahasim me javën e kaluar. Janë regjistruar 2.320 raste të reja pozitive nga 33 qytete në vend me rritje prej 3.9% krahasuar me javën e kaluar.
Ndërkohë për sa i përket masave, ministri deklaroi se gjatë kësaj periudhe, mund të ketë ndryshim të tyre, por se kjo do të varet nga situata epidemiologjike.
“Po ndjekim nëse kjo tendencë do të vazhdojë deri në këtë masë të jetë rrezik, që sërish të mbingarkojë kapacitete spitalore, tani për tani nuk ka ndonjë tregues të tillë, tani për tani po menaxhohet mirë, por nuk e përjashtoj atë mundësi”, tha Filipçe .