Site icon PORTALB

Reformimi i prokurimit publik në luftën kundër korrupsionit

Selim Ibraimi

Selim Ibraimi

Në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Maqedoninë e Veriut (MV), transparenca qeveritare dhe e institucioneve është në nivele të ulëta. Para se vendet kandidate të bëhen anëtare të plota të BE-së, do të duhet që transparenca të jetë e pranueshme me të gjitha ligjet e unionit. Një ndër pjesët e ligjit ku shtetet duhet t’i kushtojnë kujdes dhe të ndryshojnë mënyrën e punës është prokurorimi publik.

Kapitulli i 5 i legjislacionit të BE-së thotë se prokurimi publik përfshin parimet e përgjithshme të transparencës, trajtimit të barabartë, konkurrencës së lirë dhe mos diskriminimit. Për më tepër, rregullat specifike të BE-së zbatohen për koordinimin e dhënies së kontratave publike për punë, shërbime dhe furnizime, për subjektet kontraktuese tradicionale dhe për sektorë të veçantë. Acquis-i gjithashtu sqaron për rregullat mbi procedurat e rishikimit dhe mjeteve juridike gjatë prokurorimit.

Në të vërtetë çfarë është prokurimi publik që viteve të fundit e kemi lexuar në media dhe shpesh e dëgjojmë nga politikanët që duan të tregohen para të huajve se po bëjnë shumë në sferën e transparencës? Prokurorimi publik më thjeshtë është procesi i blerjes së mallrave dhe shërbimeve nga autoritetet publike ose organizatat e shërbimit civil duke i përdorur fondet publike.

Çdo kërkesë apo tender publik, vihet nën kontrollin ekskluziv të ekipit të prokurimit dhe nuk duhet të kryhet nga askush tjetër. Qëllimi i prokurimit publik është dhënia e kontratave në kohë dhe me kosto efektive për kontraktorët, furnizuesit dhe ofruesit e shërbimeve të kualifikuar për sigurimin e mallrave, punëve dhe shërbimeve për të mbështetur qeverinë qendrore dhe lokale në përputhje me procedurat e vendosura.

Sipas OECD-së, prokurimi publik përbën një pjesë të konsiderueshme të parave të taksapaguesve ku qeveritë pritet t’i kryejnë ato në mënyrë efikase dhe me standarde të larta të sjelljes në mënyrë që të sigurojnë cilësi të lartë të ofrimit të shërbimeve dhe të ruajnë interesin publik.

Menaxhimi i shëndoshë i prokurimit publik mund të çojë në kursime të konsiderueshme, prodhim të shtuar dhe shërbime të përmirësuara. Një shumë e madhe e burimeve publike, paratë e taksapaguesve të shpenzuara për prokurimin publik kërkojnë jo vetëm administrim të shëndoshë por, edhe që ato të kryhen në një mënyrë efikase.

Kur jemi tek efikasiteti, qeveritë vazhdimisht zhvillojnë, zbatojnë dhe rishikojnë sistemet e tyre të prokurimit, mekanizmat dhe mjetet e ndryshme. Të ndalemi në Maqedoninë e Veriut ku qeveria aktuale dhe të kaluarat po marrin vërejtje të njëpasnjëshme në raportet e BE-së dhe të Departamentit të Shtetit po në këtë fushë.

Sa raste kemi në Maqedoninë e Veriut ku pushteti qendror dhe lokal nuk i respektojnë procedurat e prokurorimit dhe ku aty ndodh më së shumti korrupsioni?! Prandaj nuk thuhet së koti se prokurorimi publik është një nga aktivitetet qeveritare më të theksuara të prekshme nga korrupsioni ku qeveritarët dhe administratorët përfshihen në rrjete të ndryshme korrupsioni dhe krimit të organizuar. Interesat financiare, vëllimi i transaksioneve dhe ndërveprimi i ngushtë midis sektorit publik dhe privat në dhënien e kontratave publike, në të gjitha rastet paraqesin rreziqe për integritetin e institucionit dhe drejtuesëve të tyre me gjasa t’i hynë rrugës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zakonisht prokurorimi publik në Maqedoninë e Veriut vështirë se i kalon standarded minimale evropiane për shkak të ndikimeve politike dhe grupeve që janë të interesuar t’i aprovojnë kërkesat e kontraktorëve pa kritere dhe paralelisht t’i keqpërdorin paratë e taksa paguesëve duke i destinuar projektet për vete dhe partitë politike.  Kur jemi tek rasti i Maqedonisë së Veriut, duhet të nënvizojmë se qeveritë duke përdorur fuqinë e tyre blerëse për të zgjedhur mallra dhe shërbime, mund të japin një kontribut të rëndësishëm drejt qëllimeve të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit. Sektorë me ndikim në fushën ku pushteti qendror dhe lokal kanë të bëjnë me prokurorimin publik janë: ushqimi, hotelieria, maqinat, ndërtesat dhe energjia.

Prokuroimi publik duke u përdorur në mënyrë strategjike, ajo mund të ndihmojë qeveritë të rrisin zbulimet si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë lokal dhe në fund të fundit të përmirësojnë prodhimin. Si pjesë e reformës së sektorit publik dhe anëtarësimit Maqedonisë së Veriut në BE, qeveria ka miratuar një ligj për prokurimin publik në përputhje me legjislacionin e prokurimit të BE-së. Ligji rregullon të gjitha aspektet kryesore të procesit të prokurorimit dhe siguron mekanizma që u mundësojnë autoriteteve kontraktuese që të marrin vlerën më të mirë. Përkundër ligjit të ri, autoritetet qeveritare duhet të vazhdojnë trajnimin e zyrtarëve që zhvillojnë dhe marrin pjesë në procesin e prokurorimit. Në kuadër të Ministrisë së Financave të MV-së gjendet Byroja për Prokurorim Publik e cila ka mision dhe detyrë të caktuar në kuadër të aktiviteteve që i ndërmerr qeveria në fushën e reformave në sektorin publik dhe privat. Nga viti 1991 e deri më sot duke mos përfshirë kohën e komunizmit, ka ekzistuar një prokurorim jo i drejtë e që duhet parandaluar tani gjatë procesit të negociatave me BE-në. Gjithashtu, qytetarët mund të bëjnë më shumë në koordinim me mediat duke raportuar forma të ndryshme të nepotizmit dhe ndikimeve gjatë fazës së prokurorimit që institucionet i zhvillojnë dhe i publikojnë. Transparenca dhe drejtësia duhet të jenë dy specifikat që politikanët tanë në të ardhmen të bëhen të hapur dhe të mos e keqpërdorin fuqinë politike gjatë prokurorimit.

Shkruan: Selim Ibraimi

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version