Site icon PORTALB

Tetovë, me ndërmarrjen për transport publik do të udhëheqë Darko Spirovski ndërsa Beadini kalon në zëvendës drejtor

Autobusët e Tetovës.

Autobusët e Tetovës.

Ka pak muaj nga kur ka filluar të funksionoje Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”, megjithatë, deri tani janë ndërruar dy drejtorë. Një javë më herët, nga pozita e drejtorit, Fejsal Beadini, është transferuar në zëvendës drejtor kurse postin e tij e ka marrë Darko Spirovski, shkruan Portalb.mk.

Rikujtojmë se Fejsal Beadini në postin e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” në tetor të vitit 2019, megjithatë, për shkak të mungesës së autobusëve kjo ndërmarrje nuk ka qenë funksionale.

Darko Spirovski, drejtor i NP “Tetova Transport”.

Ndërkaq, vetëm një muaj nga kur pritet funksionalizimi i transportit publik, Beadini është transferuar në postin e zëvendës drejtorit kurse si drejtor në këtë ndërmarrje është emëruar Darko Spirovski, i punësuar në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).

Gaztari i Portalb.mk kontaktoi sot me drejtorin e sapoemëruar, Darko Spirovski, i njëjti tha se pret që edhe zyrtarisht të pranoje detyrën e re, më pas do të prononcohet.

Ndërkaq, dy punët e para që e presin drejtorin Spirovski është sistematizimi i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” me punëtorë të ri si dhe sigurimi i shoferëve dhe administratës.

Spirovski me gjasë përballet edhe me problemin e funksionimin normal të transportit urban

Komuna e Tetovës nuk ka gjetur zgjidhje për rrëmujën në komunikacion e cila me vite pengon qarkullimin e lirë të automjeteve. Problemi do të rëndohet kur në këtë qarkullim do të shtohen edhe autobusët si pjesë e transportit urban, për të cilët nuk është siguruar korsi e veçantë ose të paktën nuk është planifikuar një organizim më efikas i trafikut. Në rrugët e stërmbushura me vetura si do të sigurohet që autobusët do të jenë në kohë dhe do të plotësojnë me efikasitet qëllimin për të cilin janë blerë? Vendimi për blerjen e autobusëve do të jetë i pavlerë nëse autobusët bllokohen në trafik, njëjte sikur automjetet tjera, dhe qytetarët vonohen ende më shumë për të kryer obligimet e tyre.

Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.

“Kushtet nuk janë aq të favorshme sa i përket infrastrukturës së transportit urban, paraprakisht do të jetë shumë e rëndësishme se në çfarë aksesh do të lëvizin autobusët, gjë që do ta caktojnë personat kompetent. Duhet të shihet në akset rrugore sa do të ketë vende për parkimin e automjeteve dhe sa do të mund ti krijojnë hapësirë transportit urban të lëvizë pa pengesa” tha Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.

Ai potencoi rëndësinë e një korsie të veçantë e cila do të mundësonte që këta autobusë të arrijnë në destinacionin e tyre në kohë dhe pa probleme shtesë, aktualisht, një gjë të tillë nuk e ka qyteti i Tetovës.

“Transporti urban do të ishte një zgjidhje e mirë për qytetin e Tetovës, konkretisht, në qoftë se bëhet edhe një korsi e veçantë për autobusët do të ishte edhe përshpejtimi i kohës së vozitjes apo orarit” tha Neimi.

Ndryshe, pritet që gjatë muajit mars të funksionalizohet për së pari herë transporti publik në Tetovë.

Exit mobile version