RMV, priten udhëzime për vaksinimin e të sëmurëve kronik dhe të moshuarve

Në spitalin mobil sot do të bëhet edhe një tjetër trajnim i ekipeve për zbatimin e vaksinimit. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit- Shkup, Viktor Isjanovski thotë se ka një numër të mjaftueshëm të stafit, megjithëse çdo personel shtesë është i mirëseardhur, njofton Portalb.mk.

“Në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, barrën më të madhe do ta mbajë Shtëpia e Shëndetit Shkup, për sa i përket procesit të imunizimit, i cili do të fillojë me vaksinimin të mërkurën me punonjësit shëndetësor”, tha Isjanovski në një paraqitje për TV Telma ku ai foli për gatishmërinë e sistemit për zbatimin e vaksinimit dhe atë që qytetarët mund të presin.

Konkretisht, për vaksinën kineze, thotë se ka ekipe, të cilët kanë punuar për vite me radhë. Ajo, siç tha ai, është shumë më e thjeshtë, vjen me shiringë dhe gjilpërë dhe aplikohet menjëherë, ndërsa ruhet në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë

I pyetur në lidhje me përvojat me efektet anësore të vaksinës, ai tha se globalisht, rezultatet e vaksinimit janë të mira.

“Rezultatet globale janë të mira, nga pothuajse të gjitha vaksinat në treg. Tani e fundit ishte vetëm me “AstraZeneka”, por shohim që edhe OBSH-ja po ndryshon mendimin. Efektet anësore janë të vogla në përqindje, kështu që sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kushdo që do ta marrr vaksinën, në pikat e vaksinimit duhet të ketë një hapësirë ​​ku do të ketë një periudhë të caktuar kohe dhe pastaj nëse gjithçka është në rregull mund të shkojë në shtëpi”, shpjegoi Isjanovski.

Sipas tij, vaksina Pfizer është pak më e vështirë për sa i përket ruajtjes dhe transportit, gjegjësisht nevojiten kushte të veçanta.

Sidoqoftë, ai konsideron se Ministria e Shëndetësisë duhet të dalë me njoftim se çfarë është dhe nëse ekziston rrezik i caktuar i vaksinimit të njerëzve me sëmundje të caktuara kronike.

“Për vaksinimin e qytetarëve me sëmundje kronike, Ministria duhet të lëshojë kumtesë, pasi vaksinat janë të njëjta kudo. T’ju transmetohen qytetarëve përvojat, qoftë përmes një kumtese apo në ueb- faqe- a përbën rrezik vaksinimi i disa qytetarëve të sëmurë kronik”, thotë Isjanovski.

Sa i përket asaj që qytetarët duhet të presin, Isjanovski tha se do të ketë edhe certifikatë që është ende në përpunim e sipër – kur qytetarët do të vijnë në pikat e vaksinimit do t’ju jepet një kartë e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, ku do të jen të vendosura të dhënat themelore të qytetarëve, emri, mbiemri, numri amzë, adresa kur e kanë marrë vaksinën e parë, nënshkrimin dhe vulën e mjekut që e ka përshkruar, dhe kur personi duhet të telefonojë përsëri për vaksinim.

Personat në shtëpitë e pleqve do të vaksinohen me ekipe mobile, ndërsa udhëzimet duhet t’i japë Ministria e Shëndetësisë.

Isjanovski theksoi se nuk përjashtohet mundësia e hapjes së më shumë pikave të vaksinimit, përveç tre të paralajmëruara në Shkup, por gjithçka varet nga ajo se sa qytetarë do të paraqiten për vaksinim.

Përndryshe, siç edhe njoftoi ministri Filipçe, ekzistojnë dy mekanizma për vaksinim. Njëri përmes ueb-faqes, ndërsa tjetri përmes mjekut amë.

“Mekanizmi i parë është përmes mjekut amë që shqyrton dëshirën apo vullnetin. E dyta është ueb-faqja, e cila me futjen e numrit amzë e gjen dosjen e tij elektronike në sistemin “Termini im” sipas algoritmit të moshës, sëmundjeve kronike etj. U jep përparësi qytetarëve për vaksinim dhe njofton mjekët amë të informojnë qytetarin. Gati 70% e punonjësve shëndetësorë kanë shprehur interes për vaksinimin dhe ata do të jenë të parët që do të vaksinohen. Pastaj, personat e tjerë mbi 70 vjeç. Me trajtimin e sëmundjeve kronike, bëhet një listë për informimin e mjekëve amë, më tej mjekët amë duhet të informojnë pacientët e tyre dhe t’i pyesin ata nëse duan të vaksinohen dhe informacioni të futet në Termin Tim”, theksoi Filipçe.

Për të siguruar mbrojtje ose imunizim kolektiv, gjegjësisht për të ndërprerë përhapjen e kovid-19, siç thonë nga Organizata Botërore të Shëndetësisë, është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen. Derisa shteti po i pret dozat e para të vaksinave, ekspertët shëndetësorë vlerësojnë se duhet kohë për të vaksinuar 70 përqind të popullsisë në mënyrë që, të themi kushtimisht, të mund të “merrnim frymë” më lirshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button