Mbështetësit e Navalnyt ndryshojnë formën e protestës

Përkrahësit e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, po planifikojnë të ndryshojnë formën e protestës. Më 14 shkurt ata do të protestojnë duke përdorur dritën nga telefonat, elektrik dore dhe qirinj për të mbështetur Navalnyn, pavarësisht paralajmërimeve se mund të përballen me akuza penale nëse marrin pjesë në protesta.

Ekipi i Navalny u ka bëri thirrje njerëzve në të gjithë Rusinë të ndezin dritën në telefonin e tyre për 15 minuta duke filluar nga ora 20:00 dhe ta kthejnë atë nga qielli.

Ata gjithashtu mund të shprehin solidaritetin me Navalnyn duke mbajtur ndonjë elektrik dore lart ose duke ndezur qirinj në një formë zemre pasi me këtë datë përkon edhe Festa e Shën Valentinit. Pjesëmarrësve të protestës u është thënë të postojnë fotografitë e tyre në mediat sociale, transmeton REL.

Kjo formë e protestës, sipas organizatorëve është përgjigje ndaj valës së parë të dhunës dhe shtypjes ndaj protestuesve nga ana e forcave të sigurisë.

Ata kanë thënë se këtë formë të protestës e kanë menduar për t’ia bërë më të vështirë policisë të intervenojë. Rregullatori federal i medias ruse më 12 shkurt urdhëroi mediat, përfshirë Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë, të fshijnë të gjitha raportet në lidhje me protestën e planifikuar.

Në urdhër thuhej se autoritetet ruse do ta konsiderojnë çdo raportim në lidhje me protestën si një thirrje për njerëzit që të marrin pjesë në një demonstrim publik të pa sanksionuar.

Protesta i kushtohet gjithashtu gruas së Navalnyt, Yulia Navalnaya, e cila u largua nga Rusia dhe fluturoi në Gjermani më 10 shkurt. Asnjë shpjegim nuk është dhënë për largimin e saj. Ajo ishte arrestuar kohët e fundit për shkak të pjesëmarrjes në protesta që kërkonin lirimin e burrit të saj.

Navalny është arrestuar muajin e kaluar, pasi ka arritur në Moskë nga Gjermania.

Në Gjermani, ai është trajtuar për helmimin me agjentin nervor Noviçok. Navalny ka fajësuar direkt Kremlinin, por ky i fundit e ka mohuar përfshirjen.

Autoritetet ruse e kanë arrestuar në bazë të disa akuzave të mëhershme për përvetësim fondesh. Sipas Navalnyt, ato janë të motivuara politikisht.

Javën e kaluar, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se vendet anëtare do të vendosin për hapat e rinj kundër Rusisë, që mund të përfshijnë edhe sanksione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button