RMV, Qeveria këtë vit për regjistrim dhe zgjedhje lokale, opozita për qeveri kalimtare dhe zgjedhje parlamentare

Partia në pushtet LSDM dhe ajo opozitare VMRO-DPMNE janë në binare të ndryshme për ngjarjet kryesore politike që e kanë radhën në vend në vitin 2021. Vetëm shtatë muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Kryetari i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski sot përsëri kërkoi zgjedhje të reja parlamentare në vend, të cilat ai beson se duhet të mbahen në vjeshtë së bashku me zgjedhjet e rregullta lokale, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Mickoski sot tha se para zgjedhjeve, do të duhet të formohet qeveri që do të kishte përgatitur terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në vjeshtë.

“VMRO-DPMNE po zhvillon bisedime me partitë parlamentare të opozitës, por edhe me partitë parlamentare që janë pjesë e qeverisë, kështu që kur të kemi shumicën në parlament atëherë do të dalim në publik dhe ta paraqesim atë shumicë”, tha Hristijan Mickoski në pyetjen e nëse ata po përgatisin një shumicë të re parlamentare që do të rrëzojë qeverinë aktuale.

Kryeministri dhe kryetar i LSDM-së Zoran Zaev tashmë disa herë ka deklaruar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend duhet të mbahen në mandatin e rregullt, në vitin 2024. Dje, Zaev e përsëriti se prioritet këtë viti është realizimi i regjistrimit, por edhe zgjedhjet e rregullta lokale që do të mbahen këtë vjeshtë.

“Vërtetoj se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë nuk e di se cilët kozmonautë po shikojnë nga Hëna dhe si do të ndodhë, por vërtetoj se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse ato nuk i sjellin asgjë të mirë vendit. “Në fakt, edhe nëse do të ketë, ato nuk do të ndryshojnë asgjë, ata vetëm mund të ndalojnë projektet zhvillimore” theksoi Zaev.

Kryeministri Zaev tashmë ka deklaruar se nëse do të kishte zgjedhje parlamentare tani, atëherë LSDM do të fitonte 50 deputetë, dhe VMRO-DPMNE do të kishte 40.

Vendi, ka shtuar Zaev, kaloi nëpër disa faza të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vetëm humbi.

“Kur zhvillohen zgjedhje të parakohshme, në vend ndalet gjithçka në plotë kuptimin e kësaj fjale, e kryesisht ekonomia”, tha Zaev, duke hedhur poshtë idenë për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vjeshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button