Ivanov mohoi se më 27 prill ka planifikuar të shpallë gjendje lufte: Informata spekulim

Ish presidenti i shtetit Gjorge ivanov, në gjykimin për dhunën e 27 prillit në Kuvend, i quajti të mjegullta informatat se ai, atë ditë ka planifikuar të shpallë gjendje lufte, njofton Portalb.mk.

“Gjithçka që është e lidhur me gjendjen e luftës doli nga një tekst i publikuar në një javore, një javë para ngjarjeve. Teksti i publikuar ishte me spekulime dhe të pavërteta. Deri më 27 prill ai tekst ishte interpretuar, komentuar në media tjera në vend dhe u transmetua edhe në media të huaja. Tërë teksti është i mjegullt. Kushtetuta është e qartë: gjendje lufte shpallet kur ekziston rrezik për sulm të Republikës, kur është sulmuar shteti ose kur i është shpallur luftë Republikës. Vendimin e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave, dhe nëse nuk mblidhet, atëherë mundet të miratojë vendim presidenti, por i njëjti pastaj dërgohet për konfirmim në Kuvend”, deklaroi Ivanov, i cili pastaj edhe njëherë theksoi se atë periudhë kuvendi ka pasur kompetencë për shpalljen e gjendjes së luftës, pasi që ka qenë në mbledhje të vazhdueshme nga momenti i verifikimit të mandateve të deputetëve.

Në vitin 2001, tha Ivanov, nuk është shpallur gjendje lufte, a në vitin 2017-të një tezë e tillë është plasuar vetëm që të diskreditohet armata dhe komandanti suprem, në këtë rast ai si president i atëhershëm.

“Ajo është shembull shkolle për luftë psikologjike. Krijimin e alibisë për dikë që është dashur të ndërmerr diçka, a për atë faji të jetë i presidentit të shtetit”, tha Ivanov.

Ish shefi i shtetit theksoi se ekzistojnë dokumente mbrojtës në shtet në të cilat definohen mekanizmat rigoroze që të mos ketë keqpërdorime.

Ai disa herë foli edhe për lëvizjen “Për Maqedoni të Përbashkët”, protestat e të cilëve tha se i ka përkrahur, a e ka theksuar edhe të ashtuquajturën Platforma e Tiranës.

“Unë disa herë publikisht e kam mbështetur lëvizjen, ajo ishte në kumtesat e mia, në fjalimet e mia publike dhe në fjalimin e fundvitit në Kuvend. Pas publikimit të tekstit të Platformës së Tiranës, ka pasur reagime të ashpra nga individë të caktuar dhe institucione, veçmas në diasporë, pasi që atëherë kishte edhe deklarata të presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë. Ajo u përputh edhe me një intervistë të një kongresmeni të atëhershëm amerikan, se Maqedonia si shtet nuk duhet të ekzistojë. Të gjitha reagimet pastaj u shkrinë në lëvizjen “Për Maqedoni të Përbashkët”, tha Ivanov.

Dëshmia e këtillë e Ivanovit është kundër dëshmive të Aleksandar Vasilevsit-Nixha dhe vëllezërve Stefan dhe Mihaill Mlladinovski, të cilët ishin të akuzuar në procesin paraprak gjyqësor për 27 prillin, a në këtë për organizim të ngjarjeve janë paraqitur edhe si dëshmitar.

Ata e përmendën emrin e ish shefit të shtetit në kontekst se në mbrëmjen e 27 prillit të vitit 2017-të kanë marrë informatë nga i punësuar në DSK, Dejan Dimovski-Bokser, se Ivanov do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme. Sipas dëshmive të tyre, këtë informatë Dimovskit ia ka dhënë “Sinisha nga kabineti i Ivanovit”.

Atëherë nga kabineti i tij dolën me demant për këto dëshmi.

“Dhënia e dëshmisë së rrejshme është vepër penale. Nuk e dimë se për të cilën herë kabineti i presidentit i ka hedhur poshtë gënjeshtrat e thëna, ngjarjet e paramenduara dhe komunikimin joekzistues të përzierjes së këshilltarit Sinisha Aleksoski në rastin e 27 prillit”, kanë kumtuar nga kabineti.

Nga ana tjetër, Ninxha ka thënë se Ivanov nuk ka shpallur gjendje lufte ose të jashtëzakonshme për shkak të trysnisë së faktorit ndërkombëtar.

Sot ai pritet që të dëshmojë edhe për këto rrethana për të cilat u përmend nga personat e përfshirë në procesin paraprak gjyqësor, prej të cilëve një pjesë ishin edhe dëshmitarë në procesin aktual gjyqësor ku funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, janë të akuzuar për organizim të ngjarjeve të dhunshme.

Të akuzuar në këtë lëndë janë ish kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish ministri i Arsimit, Spiro Ristovski dhe ish drejtori i Policisë Sekrete, Vlladimir Atanasov.

Në këtë lëndë akuzohen edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish pjesëtari i DSK-së, Nikolla Boshkovski, megjithatë pasi që ata janë të arratisur, procedura për ta do të ndahet dhe të njëjtit do të gjykohen, pasi të jenë të kapshëm për organet e rendit.

“Të dyshuarit në fillim të vitit 2017-të, kishin përgatitur dhe realizuar plan me qëllim që të pamundësojnë pranim-dorëzimin e qetë të pushtetit. Kishin organizuar dhe materialisht i kishin mbështetur protestat masive, së pari para  Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërsa pastaj edhe protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët” të cilat kulmuan me hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017-të”, kanë theksuar nga PTHP.

Sipas PTHP-së kjo ishte bërë me qëllim që të rrezikohet rendi kushtetues dhe siguria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button