Murtaja e gjuhës dhe rehabilitimi i mendimit kritik

Italo Calvino, te “Leksionet amerikane”, flet për një murtajë. Nuk është murtaja që e njohim; që shkaktoi miliona viktima gjatë periudhave të ndryshme kohore. As ajo që gjatë mesjetës e shkaktoi Vdekjen e Zezë. As murtaja që ishte bërë shkak për humbje ose fitore ushtrish të ndryshme.

Italo Calvino flet për murtajën që e godet gjuhën. Këtë murtajë e identifikojmë sapo i shohim përmbajtjet mediale në televizione dhe në mediat e reja. Këtë murtajë mund ta luftojë vetëm letërsia.

“Letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës […] Nga kjo murtajë nuk është goditur vetëm gjuha, por edhe imazhet. Jetojmë nën një shi të pandërprerë imazhesh; mediat më të fuqishme nuk bëjmë gjë tjetër, veçse e transformojnë botën në imazhe dhe e shumëzojnë atë nëpërmjet fantazmagorisë dhe pasqyrave […] Një pjesë e madhe e kësaj reje imazhesh venitet menjëherë, si ëndrrat që nuk lënë gjurmë në kujtesë; por një ndjenjë tëhuajtjeje dhe shqetësimi nuk venitet”. 

Mediat, sipas mendimit të sipërthënë, ofrojnë informacione që harrohen shpejt, por që krijojnë tëhuajte. Na zhvendosin nga bota reale drejt një bote virtuale. Nga bota e mendimit në botën e pagjuhësisë.

Jetojmë në botën e kaosit medial dhe të mungesës së mendimit kritik. Kemi media (me përjashtime) që janë fortafolëse partish politike; që dezinformojnë dhe indoktrinojnë. Kemi media ku derdhen kanalizimet e mendjes parake. Kemi media vetëm për të kënaqurit me spektaklet e kësaj bote.

Për këtë botë kaotike, me fluks spektaklesh dhe informacionesh të parëndësishme, foli edhe Umberto Eko.

Ai kërkoi rehabilitimin e mendimit kritik në gazetari dhe zgjerimin e tij në internet. Foli me shqetësim për pushtimin e medias nga klishetë që e paralizojnë gjuhën. Foli për gënjeshtrat e mëdha që krijojnë histori. Foli për misionin e gazetarit – pengimin e qeverisjes së gënjeshtrës dhe të manipulimit. Foli për shmangien e standardizimit të mendimit dhe për mbrojtjen e lexuesit nga zhurma e medias. Ishte kundër faktit që mediat të flisnin vetëm me gjuhën e lexuesve, duke e ndjekur vetëm “shijen” e tyre dhe për këtë qëllim ta paralizonin gjuhën me klishe.

Paralizimi i gjuhës shpie drejt paralizimit të mendimit. Shpie drejt humbjes së botës reale. Shpie drejt manipulimit të përgjithshëm.

Në botën ku vlojnë marrëzirat, ku ata që shkruajnë lexojnë pak, duket si utopi që të presim rehabilitimin e mendimit kritik, siç kërkonte Umberto Eko.

Për murtajën e gjuhës duhen antitrupa. Ato mund t’i krijojë vetëm gjuha që na jep informacione të shkallës së lartë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button