Pas protestave të banorëve përreth rrugës “Industriale” në Tetovë për shkak të rrezikshmërisë të kësaj rruge, nga Komuna e Tetovës kanë vendosur pengesa që parandalojnë shpejtësinë e veturave, pikërisht pas shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”. Rikujtojmë se disa ditë më herët në këtë rrugë një vajzë 6 vjeçare u shkel nga vetura dhe si pasojë e humbi jetën, shkruan Portalb.mk.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në rrjetin social “Fejsbuk” ka premtuar se përveç pengesave në vendkalimet për këmbësore, do të bëhet edhe ndarja fizike mes 2 drejtimeve të qarkullimit në këtë rrugë.
“Filluam me vendosjen e pengesave në vendkalimet për këmbësorë, si dhe ndarjen fizike mes 2 drejtimeve të qarkullimit në rrugën Industriale! Kjo bëhet për të pamundësuar qarkullimin e automjeteve me shpejtësi të madhe në këtë pjesë të qytetit ,dhe njëkohësisht për të parandaluar aksidentet që shpesh herë rrezikojnë jetën e qytetarëve” shkruan Arifi.
Përveç kësaj, Arifi potencoi se në këtë rrugë do të vendoset sinjalizim vertikal plotësues si dhe shënim i vizëbardhave në vendkalimet për këmbësorë.
“Edhe pse bëhet fjalë për rrugë tranzite magjistrale, kjo pjesë e qytetit është dendësisht e banuar, dhe në të qarkullojnë shumë fëmijë që ndjekin mësimin në SHF “Kirili dhe Metodi”. Gjatë javës që vjen do të bëjmë edhe vendosjen e sinjalizimit vertikal plotësues si dhe shënimin e vizëbardhave në vendkalimet për këmbësore” deklaroi Arifi.
Portalb ishte sot në këtë vend:
Rikujtojmë se protestë me 4 kërkesa konkrete u realizua në rrugën “Industriale” në Tetovë para dy javësh, rrugë kjo që shpesh herë ka marrë jetë njerëzish ndërsa autoritetet kompetente ende nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për parandalimin e kësaj.