Site icon PORTALB

Gjermania, Suedia dhe Polonia dëbojnë diplomatët rusë

Rusia

Rusi

Gjermania, Suedia dhe Polonia kanë njoftuar se do të dëbojnë secila nga një diplomat rus, si kundërpërgjigje ndaj Moskës, e cila javën e kaluar veproi njëjtë me diplomatët nga të trija vendet anëtare të BE-së. Moska i dëboi diplomatët evropianë për pretendimet se kanë marrë pjesë në protesta të mbështetësve të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny. Gjermania ka thënë se personeli i Ambasadës së Gjermanisë në Moskë kishte vepruar bazuar në të drejtat që i siguron Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe se veprimi i Moskës ndaj diplomatëve evropianë nuk ishte i “arsyetuar në asnjë mënyrë”, shkruan REL.

Të hënën, Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se një diplomat i Ambasadës së Rusisë në Berlin është shpallur person i padëshiruar (non grata). Qeveritë suedeze dhe polake bënë njoftime të ngjashme.

Ministrja e Jashtme e Suedisë, shkroi në Twitter se “ambasadori rus është njoftuar se një diplomati i është kërkuar ta lëshojë Suedinë”. “Kjo është një përgjigje ndaj vendimit të papranueshëm për dëbimin e një diplomati suedez i cili po kryente detyrat e tij”, tha ajo.

Ndërsa Ministria e Jashtme e Polonisë tha se kishte dëbuar një punonjës të konsullatës ruse në qytetin perëndimor të Poznanit.

“Ministria e Jashtme mori vendimin në përputhje me parimin e reciprocitetit dhe në koordinim me Gjermaninë dhe Suedinë”, u tha në njoftimin e Polonisë.

Më 5 shkurt Rusia njoftoi për dëbimin e diplomatëve evropianë, derisa shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell po zhvillonte një vizitë në Moskë. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e quajti BE-në një “partner të pasigurt”.

Më 2 shkurt, Aleksei Navalny u shpall fajtor për shkeljen e një dënimi të tij me kusht. Ai e ka quajtur vendimin si të motivuar politikisht. Navalny 44-vjeçar u arrestua më 17 janar pasi u kthye nga Gjermania në Rusi.

Në Berlin ai u trajtua për helmim me agjent nervor. Ai e ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin për helmimin ndërsa Kremlini e ka mohuar.

Më shumë se 1.400 njerëz u arrestuan nga policia në Moskë, Shën Petersburg dhe qytete të tjera ruse pas vendimit të gjykatës më 2 shkurt. Protesta pro-Navalnyt janë mbajtur në shumë qytete ruse më 23 dhe 31 janar.

Këto janë vlerësuar si protestat më të mëdha anti-qeveritare ndër vite në Rusi. Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore për ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë.

Exit mobile version