Sot në Gjykatën Penale vazhdoi gjykimi për sulmet në Kuvend, të cilat ndodhën më 27 prill 2017, kurse në mesin e dëshmitarëve ishte edhe ish shefi i Byrosë për siguri publike (BSP), Mitko Çavkov, që për këtë rast është i dënuar me 18 vite burg, transmeton Portalb.mk.
Ai, gjatë dëshmisë tha që nuk ka pasur asnjë komunikim me ministrat e mëparshëm Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, por vetëm me persona të cilët kanë qenë drejtpërsëdrejti të përfshirë në ekzekutimin e aksionit policor.
Çavkov ka pranuar edhe thirrje telefonike nga Nikolla Gruevski, kurse për Aleksandar Vasilevski Ninxha deklaroi që nuk e njeh.
“Unë si koordinator i trupit për vendosje të sigurisë, për protestat veç më kisha ndërmarrë aksione dhe kontrolli ishte i vendosur,” deklaroi Çavkov i cili ka shtuar që nuk ka pasur funksion partiak, por ka qenë vetëm anëtar i VMRO-DPMNE-së.
Për hapjen e portave në Kuvend, Çavkov tha “dyert nuk janë hapur nga brenda”. Në seancën e sotme gjyqësore janë thërritur më shumë dëshmitarë, ndër të cilët edhe Emill Dimitriev dhe Kirill Bozhinovski.
Rasti për dhunën në Kuvend është në procedurë dhe e udhëheq gjykatësi Ilija Tërpkov, ndërsa përfaqësuese e palës akuzuese është Villma Ruskovska.
Të akuzuar në këtë lëndë janë ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish drejtori i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim (DSK) Vlladimir Atanasovski.
Ata janë të akuzuar që kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rregullit kushtetues dhe sigurisë”.