Site icon PORTALB

RMV, regjistrimi i popullsisë 2021: Të gjithë kryetarët e komunave në një vend

Kuvendi i RMV-së

Vetëqeverisjes lokale iu dhanë detyra të veçanta në kryerjen e operacionit statistikor. Sipas Ligjit për Regjistrimin, njësive të vetëqeverisjes lokale u jepet një përgjegjësi e madhe: sigurimi i hapësirave për punën e komisioneve të regjistrimit, propozimi i anëtarëve të komisioneve të regjistrimit, dhe kryetarët e komisioneve do të jenë sekretarët e komunave ku bazohet rrethi i regjistrimit.

Kjo u theksua nga Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski, në takimin e djeshëm në sallën plenare “të re” në Parlament, ku udhëheqja e shtetit dhe kryetarët e komunave në vend po debatojnë për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, i cili duhet të fillojë më 1 prill – pas gati dy dekadash pauzë, transmeton 360 Shkallë.

“Ne të gjithë kemi një përgjegjësi të madhe, sepse, si mbajtës të funksioneve të larta publike, ne jemi jashtëzakonisht të vetëdijshëm se çfarë do të thotë për një vend të mos ketë kryer një regjistrim për 19 vjet”, tha Milevski.

Ai beson se nuk ka vend për shtyrjen e regjistrimit dhe se të gjithë duhet të tregojnë përkushtim dhe përgjegjësi maksimale për të kryer këtë operacion statistikor në përputhje me standardet e Eurostat, sepse, siç thotë ai, vetëm atëherë të dhënat do të jenë të dobishme.

“Përkundër përpjekjeve për të politizuar regjistrimin, edhe para se të fillojë, çdo qytetar me qëllime të mira dhe i përgjegjshëm i këtij vendi ka një detyrim t’i bindet ligjit dhe të lejojë regjistrimin të kryhet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Mileski.

Autoriteteve lokale iu drejtua dje “Treshja” nga udhëheqja e shtetit: Presidenti Stevo Pendarovski, Kryeministri Zoran Zaev dhe Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Ndryshe me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur Kuvendi votoi ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për këtë ligj debati përfundoi javën e kaluar, por për shkak të mungesës së kuorumit, votimi ishte prolonguar.

Exit mobile version