Site icon PORTALB

Kina hyri në zonën ajrore të Tajvanit, rritje tensionesh mes dy vendeve

Ilustrim

Tajvani tha se avionë luftarakë të forcave ajrore kineze, hynë për të dytën ditë me radhë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore, një rritje e tensioneve vetëm pak ditë pas ardhjes së administratës së re të Presidentit Joe Biden.

Tajvani, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, shihet nga Kina si territor i saj dhe muajt e fundit Pekini e ka shtuar aktivitetin ushtarak pranë ishullit, shkruan VOA.

Por aktivitetet e Kinës gjatë fundjavës shënojnë një shkallëzim të ri, pasi përfshijnë dërgimin e avionëve luftarakë dhe të bombarduesve, në vend të avionëve të zbulimit, siç ka ndodhur zakonisht deri kohët e fundit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se dërgoi forcat e saj ajrore si kundërpërgjigje.

Një aktivitet i tillë ka të ngjarë të shqetësojë më tej Uashingtonin, i cili të shtunën i kërkoi Kinës të ndalte presionin ndaj Tajvanit, duke riafirmuar angazhimin e tij ndaj ishullit dhe dëshirën për të thelluar marrëdhëniet.

Ndërkaq, ushtria amerikane tha të dielën se aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt bashkë me grupin e saj detar, hyri në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore për të mbrojtur “lirinë e deteve”, siç u shpreh ajo.

Administrata e Presidentit Biden ka thënë se angazhimi i saj ndaj Tajvanit është “i fortë”.

Exit mobile version