Site icon PORTALB

Dy prej tre kandidatëve për kryetar të Supremes ende nuk kanë bërë test psikologjik dhe të integritetit

Besa Ademi - Lidija Nedellkova - Xhemali Saiti

Besa Ademi - Lidija Nedellkova - Xhemali Saiti

Dy prej tre kandidatëve për kryetar të ri të Gjykatës Supreme ende nuk kanë bërë test psikologjik dhe të integritetit, për këtë ende nuk kanë filluar intervistat me kandidatët, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev, konfirmoi se dy prej tre kandidatëve për kryetar të Gjykatës Supreme ende nuk kanë bërë test psikologjik dhe të integritetit, ndërkaq ai tha se pret që deri në fund të muajit të zgjedhet kryetari i ri i gjykatës më të lartë në vend.

“I kemi shqyrtuar aplikimet, e pamë që dy prej kandidatëve nuk kishin të kryer test psikologjik dhe test të integritetit. Ata duhet që të paraqiten te Instituti për Hulumtime Sociologjike për t’i bërë testet. Pas kësaj do të ketë intervista dhe më pas do të zgjedhet. Planifikojmë që deri në fund të muajit janar të zgjedhet kryetar i ri i Supremes”, tha për Portalb.mk Zdravev.

Në garë për kryetar të Supremes janë, gjykatësit suprem Besa Ademi, Lidija Nedellkova dhe Xhemali Saiti.

Prej të tre kandidatëve, më pak e njohur në opinion është Besa Ademi. Nga Apeli në Supreme erdhi para 16 viteve. Edhe paraprakisht ka konkurruar për këtë pozitë, por e humbi mundësinë në vitin 2017-të nga kundërkandidati i atëhershëm Jovo Vangellovski. Por, rrugët e tyre u kryqëzuan pas tre viteve, në mars të vitit 2020, kur Besa Ademi udhëhiqte me Këshillin në Supreme, i cili e konfirmoi shkarkimin e Vangellovskit.

Nga ana tjetër, Saiti është tanimë 4 vjet në Gjykatën Supreme. Paralelisht është edhe kryetar i Shoqatës së Gjykatës dhe më i njohuri mes tre gjykatësve.

Lidija Nedellkova paraprakisht e ka udhëhequr Gjykatën Supreme, a ishte edhe kryetare e Gjykatës Penale. Në garën për shef të Supremes në vitin 2017-të ishte edhe Nedellkova. Ajo ishte një prej tre gjykatësve në Këshill i cili para 12 viteve i caktoi paraburgim Zoran Zaevit për rastin “Global”. Në bisedat e përgjuara në kohën e Gruevskit, Nedellkova u përgojua, pas së cilës gjyqësori e mori epitetin “Svarovski”.

Shkarkimi i Vangellovskit dhe ardhja e Arsllanit

Prej më 10 shtator të vitit 2019-të, postin e u.d. kryetarit të gjykatës më të lartë në vend, vazhdon ta mbajë Faik Arsllani.  Ligjërisht, këtë post, Asllani ka drejtë ta mbajë deri 1 vjet.

Këshilli Gjyqësor në mbledhje të mbajtur më 10 shtator 2019 unanimisht e shkarkoi kryetarin e Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski për punë joprofesionale dhe të papërgjegjshme në shërbim. Në mbledhjen e njëjtë është shkarkuar edhe gjykatësja supreme Rahillka Stojkovska – që të dy për shkak të vendimit që e miratuan, e me të cilin e anuluan paraburgimin për Sead Koçan, i akuzuar në rastin Trust dhe i mundësuan atij të mos shkojë në paraburgim.

Vangellovski u ankua, por Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën pasi që ka vlerësuar se është e pabazë dhe me këtë e ka konfirmuar vendimin e Këshillit Gjyqësor. Me këtë vendim, Vangellovski edhe zyrtarisht është shkarkuar nga detyra.

Kushtet për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Supreme

Sipas Ligjit për Gjykata, kryetar gjykate zgjedhet nga radha e gjykatësve të Maqedonisë së Veriut, ashtu siç zgjedhet gjykatësi në gjykatë përkatëse, në këtë rast në Gjykatën Supreme.

Kryetari i Gjykatës Supreme zgjedhet gjatë kohës prej katër vjetëve, me mundësi që përsëri të zgjedhet në të njëjtin funksion edhe për katër vite tjera.

Për kryetar të gjykatës zgjedhet ndonjë gjykatës i cili në dy vitet e fundit nga ana e Këshillit Gjyqësor është vlerësuar me notë më të lartë pozitive, ndërkaq në krahasim me kandidatët e tjerë të ketë numër më të madh të pikëve, në pajtueshmëri me ligjin.

Kryetari i Gjykatës ka status dhe funksion të gjykatësit të parë në gjykatën përkatëse. Kandidati për kryetar të Gjykatës, në paraqitjen dhe dokumentet tjera dorëzon program për punë gjatë mandatit të tij.

Shpalljen për zgjedhje të kryetarit të gjykatës, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut publikon dy muaj para skadimit të mandatit të kryetarit në largim. Nga kandidatët e lajmëruar që i plotësojnë nevojat dhe kushtet, Këshilli Gjyqësor deri më së voni në dy muaj pas publikimit të shpalljes zgjedh kryetar të gjykatës.

Kryetari i gjykatës i cili përsëri nuk do të zgjedhet në të njëjtin funksion, do të vazhdojë të punojë si gjykatës në gjykatën ku paraprakisht e ka kryer funksionin gjyqësor.

Kushtet:

Exit mobile version