Site icon PORTALB

Benjamin Xhaferi: Po vazhdoj karrierën time për vallëzim në Slloveni,në një skenë që do të më ofrojë më shumë mundësi

Benjamin Xhaferi

Benjamin Xhaferi

Vallëzimi është një poemë, ku çdo lëvizje është një fjalë! – Mata Hari.

Benjamin Xhaferi është një prej valltarëve më të talentuar në Maqedoninë e Veriut. Dëshirën për të vallëzuar e ka shfaqur që i vogël, por, në atë kohë nuk kishte hasur në ndonjë shkollë apo ansambël për ta ushtruar profesionalisht. Hapin e parë në vallëzim e mori në moshën 18-vjeçare dhe që në atë moment ai e dinte se me çfarë do të merrej gjatë jetës së tij, shkruan Portalb.

Hapat e para i bëra në Studio Rebis. Pas disa muajve kalova ne Aqua Dance Club, ku isha pjesë e katër vjet të plota. Pas katër viteve, kalova në studion Break a Leg, ku kërceja dhe jepja mësim deri në vitin 2020. Dëshira ime e madhe më bëri t’i zhvilloj aftesitë e mia, të kërkoj seminare dhe orë jashtë vendit. Gjate viteve të kaluara kam marrë pjesë në shumë seminare dhe kampe edukative, që t’i zhvilloj aftesitë e mia në një nivel edhe më të lartë. Është shumë interesant momenti i tranzicionit, nga një person që merr mësim, fillojnë të të kerkojnë që të japësh mesime edhe në vende jashtë Maqedonisë. Në fillim është një ndjenjë e çuditshme, normal, dhe njëkohësisht edhe shumë e bukur. Pastaj adaptohesh dhe kjo të bëhet realitet.” tha Benjamini.

Sa i përket interesimit që njerëzit kanë për vallëzimin, Benjamini shprehet:

“Ndoshta çdokush do të thotë të njejtën për profesionin e tij, mirëpo, për mendimin tim, nuk ka gjë më të mirë se orët e kërcimit. Është një eksperiencë dhe ndjenjë relaksuese, si dhe ndihmon shumë në zhvillimin e aspektit shoqërues te të rinjtë. Interesimi i njerëzve për t’u marrë me kërcim po rritet nga viti në vit. Kohës së fundit vallëzimi po zhvillohet shumë dhe kjo e bën më atraktiv, që të rinjtë të marrin orë për të mësuar vallëzimin. Është një eksperiencë e bukur, të shohësh si dikush zhvillon aftësitë për lëvizjen e trupit nga hapat e para, e deri pas disa vitesh eksperiencë. Zakonisht, me ata që kanë më shumë eksperiencë, ushtrojmë dhe koreografi të ndryshme, për qëllime të ndryshme: gara, video xhirime, performime, zhvillim të mëtejshëm.” u shpreh Benjamin Xhaferi.

Me lëvizjet që Benjamini ka, mori vëmendje edhe jashtë vendit! Ai tani e gjashtë muaj është vendosur në Slloveni.

“Tre-katër vitet e fundit fillova të jap mësim edhe jashtë vendit, nëpër studio dhe kampe edukative. Dy vitet e fundit mora ftesë të jap mësim në Danimarkë dhe në Slloveni. Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Fillova bashkëpunimin në Slloveni dhe shkoja si trajnues çdo tre muaj. Eksperienca që fitova jashtë vendit më bëri që të mësoj edhe më shumë nga vallëzimi. Me fillimin e pandemisë, mora vendimin që të vazhdoj karrierën time dhe të zhvillohem edhe më shumë në Slloveni, në një skenë që besoj do të më ofrojë edhe më shumë mundësi.” u shpreh Xhaferi.

Mesazhi i Benjaminit drejtuar të rinjve sa i përket vallëzimit është: 

Kërcimi është diçka që duhet ta provon çdokush. Nëse lirohesh në kërcim, çdo gjë në jetë është më e lirë pastaj, e këtu bëjnë pjesë ahengjet dhe momentet shoqëruese. Bëje një hap vetë, i dyti vjen vetë! Kënaqu në jetë.” e përmbylli Benjamin Xhaferi.

Exit mobile version