Portugalia vlerëson se Bullgaria nuk e pengon zgjerimin e BE-së

Lisbona zyrtare do të jetë e kujdesshme në çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian, tha ambasadori i tyre në Bashkimin Evropian, Nuno Brito. I pyetur se si e vlerëson sjelljen e Bullgarisë, e cila me veton e saj bllokoi fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, ambasadori Brito, siç raportohet nga BTA, u përgjigj se “nuk është në rregull të akuzohet Bullgaria për pengimin e procesit, sepse pikërisht ai shtet është një nga mbështetësit më të fortë të zgjerimit të BE-së “, njofton Portalb.mk.

Ai theksoi se presidenca portugeze, e cila kryeson Këshillin e BE-së në gjashtë muajt e parë të 2021, nuk do të nxitojë dhe t’i propozojë konkluzionet e reja të Këshillit të BE-së mbi zgjerimin.

“Nevojitet unanimitet për sjelljen e vendimeve në këtë fushë, ndërsa diskutimi mbi zgjerimin vazhdon në një nivel të lartë politik,” citoi BTA tambasadori portugez në BE Nuno Brito.

Fokusi i presidencës portugeze në këtë mandat, siç njofton Brito, do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve me Afrikën dhe hartimi i rregullave të reja të migrimit në BE.

Sipas tij, nga Portugalia gjithashtu mund të pritet të vazhdojë përpjekjet e filluara nën presidencën gjermane dhe që lidhen me miratimin e buxhetit të ri evropian, rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia, si dhe aktivitetet e përbashkëta të vendeve të BE-së për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.

Ndër qëllimet e tjera të Lisbonës, siç raportohet nga BTA, ambasadori përmendi digjitalizimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, dy ditë më parë deklaroi se ka pritje pozitive nga presidenca portugeze e Këshillit të BE-së kur bëhet fjalë për miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut.  Osmani tha se në kontaktet fillestare me presidencën portugeze, është treguar qëllim serioz për të vazhduar procesin e mbetur të presidencës gjermane me Unionin.

“Pres që Gjermania të vazhdojë angazhimin e saj gjatë presidencës portugeze, por sipas kontakteve fillestare, presidenca portugeze ka qëllim serioz që të vazhdojë aty ku e la Gjermania dhe sa më shpejtë të gjejë zgjidhje për dallimet, me qëllim që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, gjegjësisht të miratohet korniza negociuese”, tha Osmani.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button