Kur motivi dhe vullneti thyejnë të gjitha barrierat për të ecur drejt suksesit, edhe atëherë kur ke humbur shikimin (VIDEO)

Sot është Dita Botërore e Brajit, krijuesit të Alfabetit të Brajit dedikuar personave të verbër dhe atyre me shikim të dëmtuar.

Fisnik Selimi është një djalë 19 vjeçar nga Shkupi, i cili në fëmijërinë e tij të hershme si pasojë e një sëmundje ka humbur shikimin. Ai është përballur me sëmundjen ende pa e parë mirë botën e pa u njohur me gjërat që e rrethojnë, tregon ai për Portalb.mk. Por, kjo nuk e ka penguar atë që të përshtatet me rrethin e të zhvillohet sikurse edhe moshatarët e tij të cilët nuk përballen me këtë pengesë, të ndjekë ëndrrat me shumë guxim dhe të ecë drejt horizonteve të cilët nuk njohin kufi. 

Edhe pse për një person të zakonshëm, humbja e shikimit do t’i shkaktonte pengesa e vështirësi për rrugën e zhvillimit të tij, kjo gjë nuk ka ndodhur me Fisnikun, i cili me vullnetin dhe këmbënguljen e palodhur, ka arritur që të thyejë të gjitha barrierat që i kanë dalë para.

Fisnik Selimi

Madje, ambiciet e tij janë shumë të larta. Ai është student i vitit të dytë në Fakultetin Juridik dhe përkrah kësaj merret edhe me shumë aktivitete të tjera, siç janë noti e fitnesi. Ai mund të përdorë pa problem mjetet teknologjike, si laptop dhe telefona të mençur.

“Gjatë javës, dy ditë shkoj në kurs të anglishtes nga një orë e gjysmë. Bëj edhe sport, në fitnes, not kam filluar pak më parë. Në not shkoj me trajner. Më shumë ditë shkoj në fakultet. Studioj juridikun e përgjithshëm në Universitetin AAB në Prishtinë, jam në vitin e dytë. Studimet i bëj me incizim me audio, i incizoj ligjëratat e profesorëve, është një pajisje që quhet diktafon dhe me atë ua regjistroj zërin dhe më pas kur vjen koha i provimeve i dëgjoj. Unë si i verbër kam pasur shumë ndihmë prej shumë personave, kolegëve në fakultet. I kam vërejtur se çdoherë, në qoftë se ngritem nga ulësja më ndihmojnë dhe nuk largohen deri sa të ulem prapë”, deklaroi ai për Portalb.mk.

Fisnik Selimi

Selimi tregoi për Portalb.mk se si në klasë të shtatë, është njohur me profesorin nga Peja, Shefqet Mulliqi, të cilit i ka lënë përshtypje të thella dhe më pas e ka ftuar që të vazhdojë shkollën për të verbër në Pejë.

“Deri në klasën e shtatë kam mësuar në shkollën maqedonase në Shkup, në Kisella Vodë, është shkollë vetëm për të verbrit. Aty kemi pasur shumë programe, koncerte, aktrime. Në një aktrim që e kam pasur aty ka qenë prezent një profesor për të verbër nga Peja, Shefqet Mulliqi, ai më ka parë dhe ka pyetur për mua, më ka parë që jam shqiptar dhe mësoj vetëm në gjuhën maqedonase dhe më ka ftuar që të ndjek shkollën e të verbërve në Pejë. Klasën e 8 e kam vazhduar në Pejë po ashtu edhe shkollën e mesme e kam mbaruar atje në drejtimin e informatikës”, tha ai.

Selimi thotë se deri tani nuk e ka penguar asgjë që të punojë për ambiciet e tij dhe ka arritur gjithçka që ka dëshiruar. Megjithatë, ai theksoi pengesat dhe mangësitë në komunikacion, sa i përket personave të verbër.

“Unë mund të përdor edhe laptopin dhe mjetet teknologjike, telefonin. Për të verbrit janë të rregulluara programet akustike apostafat për to. Deri më tani nuk më ka penguar asgjë. Kam përkrahjen e prindërve, përkrahjen e familjes dhe nuk jam dëshpëruar për asgjë deri më tash, kam arritur shumë gjëra që i kam dashur. Këtë vit e kam edhe një asistent i cili më përcjell nëse më duhet ndonjë ndihmë ose diçka. P.sh shkoj në fitnes me të dhe mund ta thërras atë për çdo gjë që më duhet. Në komunikacion ka shumë pengesa. Kam dëgjuar se në Evropë kanë shumë kushte të mira për të verbrit. P.sh kanë forma orientuese në tokë, kanë diçka të vendosur në rrugë, për ta ditur i verbri se ku e ka rrugën e tij. Ose në qoftë se është në rrugë kryesore ose që duhet të kalojë në semafora, është semafori me sinjal, tregon se kur duhet të ndalosh dhe kur duhet të kalohet. Këtu ka vetëm në dy vende semafora për të verbër dhe diku janë me sistemin e verbër”, theksoi Selimi.

Fisnik Selimi

Ai ka porositur prindërit e fëmijëve të verbër që të mos i diskriminojnë ata, duke mos lejuar që të vazhdojnë shkollimin e tyre dhe t’u japin shans atyre për të treguar se edhe përkrah faktit se janë të verbër, ata kanë aftësi për të arritur gjëra në jetë.

“Dua të flas për disa persona të verbër të cilët janë të diskriminuar nga ana e prindërve të tyre. Ky është një lloj mesazhi. Nuk duhet të diskriminohen vetëm pse janë të verbër. Ka disa të verbër të cilët diskriminohen prej prindërve të tyre, vetëm pse janë të verbër i mbyllin ose i izolojnë nëpër dhomat e tyre dhe nuk i lënë as të dalin as të studiojnë. Ka shumë raste, ku shkojnë i kërkojnë personat e verbër që t’i shkollojnë, mirëpo prindërit e tyre nuk i lejojnë të verbrit të shkollohen, mendojnë se nuk kanë asnjë aftësi që të verbrit të arrijnë diçka”, porositi Selimi.

Ky djalosh 19 vjeçar, i cili po ashtu mund të bëjë edhe punë si audio transkriptim apo në të punojë në call center, është një shembull që tregon se kur ka vullnet dhe dëshirë, ëndrrat mund të realizohen, pavarësisht vështirësive dhe barrierave që mund të hasen gjatë rrugëtimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button