Site icon PORTALB

Pandemia imponoi ndryshime në arsim si kurrë më parë, nxënësit e shkollave të mesme kërkojnë përfshirje gjatë vendimmarrjes

Mësim online, nxënës, shkollë

Foto: Thomas Park në Unsplash

Vitin e kaluar në këtë kohë askujt nuk i shkonte në mend që arsimi do të përballej me një nga sfidat më të mëdha ndonjëherë. Me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit, marsi i vitit të kaluar ishte pika vendimtare kur gjërat filluan të ndryshonin. Atëherë u mbyllën shkollat, kopshtet, madje edhe fakultetet. U ndaluan tubimet, mësimi u transferua në mjetet elektronike për onlajn qasjes, ndërsa nxënësit të cilët qëndronin nëpër internate u kthyen nëpër shtëpi, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Menjëherë pas mbylljes së shkollave, shërbimi publik – TVM, filloi me transmetimin e “TV Klasa” me qëllim që të kompensojë një pjesë të materialit që fëmijët e humbnin sepse nuk shkonin në shkollë. Më vonë, Qeveria miratoi një Dekret me të cilin mësimi dhe notimi do të kryhen në mënyrë elektronike. Sidoqoftë, për të qetësuar situatën dhe frikën nga e pa parashikuera, disa nga mësimdhënësit me të cilët foli Meta.mk theksuan se nota përfundimtare në atë kohë do të varej nga puna gjatë gjithë vitit, jo vetëm nga mësimi në internet.

Duke pasur parasysh të gjithë situatën, Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis” iu përgjigj ftesës publike nga Ministria e arsimit dhe shkencës (MASH) për një konsultim publik mbi versionin draft të Konceptit për Edukimin në Distancë dhe publikoi mendim profesional bazuar në përvojat e deritanishme dhe ekspertizën e specializuar në fushën e TIK dhe arsimit.

Sidoqoftë, ajo që shkaktoi reagimet më të mëdha të publikut vitin e kaluar ishte njoftimi i një koncepti të ri për arsimin fillor, veçanërisht për shkak të shkrirjes së më tepër lëndëve në një. Ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska, në disa raste sqaroi se koncepti i ri do t’i mësojë nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike. Dhe kjo u konfirmua edhe nga Byroja për zhvillim të arsimit, duke vënë në pah se nxënësit do të mësojnë histori, por në një mënyrë të përshtatur me moshën e tyre. Detajet e konceptit u njoftuan në konferencën për shtyp dhe u sqarua që në orën e një lënde të integruar nuk do të hynë të gjithë profesorët, por që secili profesor do të ligjërojë pjesën e tij.

MASH e ndërroi datën deri kur mund të dërgohen propozime dhe sugjerime për konceptin e ri, dhe tani në vend se deri më 10 janar, të këtij viti, të gjithë palët e interesuara do të mund të kontaktojnë adresën e postës elektronike të botuar nga ministria deri më 20 janar.

Nxënësit e shkollave të mesme ndoqën nga afër ndryshimet dhe kërkuan përfshirje në vendime

Gjatë vitit të kaluar, nxënësit e shkollave të mesme i kanë shprehur vazhdimisht pikëpamjet e tyre mbi zhvillimet dhe reformat aktuale. Gjatë gjithë vitit, ata ndoqën mësimin nga shtëpia, me përjashtim të nxënësve të shkollave ​​profesionale, ku mësimi zhvillohej sipas protokolleve të veçanta. Regjistrimet për vitin e ri shkollor 2020/2021 gjithashtu u zhvilluan nën protokolle, dhe në disa shkolla të tilla si shkolla e mesme “Vlado Tasevski” u zhvilluan nën qiell të hapur.

Në vitin e kaluar shkollor 2019/2020, provimi i maturës shtetërore u ndërpre për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit. Edhe pse për disa ishte fat, për disa të tjerë ishte problem. Sidoqoftë, Ministria e arsimit dhe shkencës njoftoi se provimi i maturës shtetërore për vitin akademik 2020/2021 do të mbahet nga 29 maj deri më 14 qershor të këtij viti dhe programet e provimit do të jenë me përmbajtje të shkurtuar. Me atë raste u dha mundësia edhe për dy lëndë të reja zgjedhore. Për këtë reagoi edhe Unioni i Nxënësive të Shkollave të Mesme, me qëndrim të prerë që këtë vit provimi i maturës shtetërore të mos mbahet, sepse sipas tyre, nuk do të jetë efektiv. Për më tepër, ata kërkuan që në vend të katër, në provimin e maturës shtetëror të kenë vetëm dy provime. Përveç provimit të maturës shtetërore, do të realizohen detyra të maturës, të cilat mund të jenë shfaqje digjitale, video dhe art-skenike.

Në gusht, qeveria miratoi një protokoll për edukimin fizik në shkollat ​​fillore dhe të mesme, duke imponuar rregulla të reja. Shkollat ​​u dezinfektuarn, kurse Ministria e Arsimit dhe Shkencës e instaloi onlajn platformën për mësimit www.schools.mk me video interaktive, kuize dhe teste për mësim në distancë. Më 1 tetor, me maska ​​mbrojtëse në fytyrë, duke mbajtur distancë, duke dezinfektuar duart dhe duke matur temperaturën e nxënësve, filloi viti shkollor në shkollat ​​ku lejohej mësimi me prani fizike. Nga ajo ditë e tutje, mësimi për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e tretë u zhvillua në shkolla nën protokolle të rrepta, dhe për pjesën tjetër përmes onlajn platformës school.mk e cila mund të punojë në pothuaj të gjithë kompjuterët, celularët ose tabletët e blerë në tre vitet e fundit. Nga ana tjetër, nxënësit e shkollave të mesme i ndoqën klasat përmes onlajn mjeteve. Për të monitoruar punën e mësuesve gjatë orëve në internet, inspektorët shtetërorë “hynin” në onlajn orët.

Edhe pse gjatë vitit, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme foli me Ministrinë e arsimit dhe shkencës, por edhe me Komisionin e sëmundjeve infektive dhe përfaqësuesit e qeverisë për zbatim të protokolleve, prapëseprapë nxënësve të shkollave të mesme nuk u pëlqeu lajmi për mësim të plotë onlajn. Ata e shprehën revoltën e tyre duke protestuar dhe propozuan një qasje të kombinuar si mënyrën më efektive për mësim gjatë pandemisë dhe qasje të decentralizuar,  gjegjësisht që secila komunë dhe shkollë të vendosin vetë për mënyrën më të sigurt për zhvillim të mësimit. Pas protestës së nxënësve të shkollave të mesme, Ministrja Carovska ofroi model të kombinuar të mësimit. Ashtu edhe ndodhi, gjimnazistët vazhduan me onlajn mësim, përveç në disa shkolla profesionale, ku prania e nxënësve ishte e domosdoshme. Por Unioni nuk ishte e kënaqur vetëm me këtë. Ata disa herë paralajmëruan se do të vazhdojnë me aktivitetet derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre.

Kërkuan që në rast se situata me kovid-19 përmirësohet nxënësit të kthehen në shkollë në nëntor. Megjithatë, në nëntor, numri i rasteve të infektuar rishtas me kovid-19 u rrit dhe nxënësit edhe më tej mbetën në shtëpi. Prandaj, Unioni i Studentëve të Shkollave të Mesme vendosi të mos e bojkotojë onlajn mësimin.

Sidoqoftë, kishte edhe abuzim të onlajn mësimit për çka Meta.mk. ka raportuar. Gjatë vitit, onlajn mësimi është përcjellë edhe nga varkë me pedale, ndërsa gjatë orëve të mësimit janë luajtur video lojëra. Ministria e arsimit dhe shkencës doli me qëndrim se në këtë rast, prindërit janë faktor vendimtar në kapërcimin e abuzimeve të onlajn mësimit. Abuzime u shënuan edhe në arsimin fillor.

Mësimi dhe vlerësimi zhvilloheshin në internet, dhe kur mësimdhënësi nuk mundej të formonte një vlerësim në internet, u mundësua që ai të organizonte takim individual me nxënësin. Në mënyrë që të informojmë se si disa nga mësimdhënësit i vlerësojnë nxënësit, Meta.mk bisedoi me disa prej tyre dhe erdhëm te përgjigjet se ata përdorin të gjitha mjetet e ofruara për ta, nga debatet, krijimi i videove, në prezantime dhe kuize. Sidoqoftë, kjo nuk do të thoshte që çdo sjellje nga nxënësit lejohej me çdo kusht, ata me sjellje të papërshtatshme përjashtoheshin nga ora e mësimit dhe merrnin mungesë të paarsyeshme.

Vitin e kaluar, me trajnimin e mësuesve filloi pilot-programi për edukimin gjithëpërfshirës seksual. Gjithashtu, vitin e kaluar u bë e ditur se nga 58 vende, ne jemi në vendin e 45-të në shkrim-leximin matematik dhe ne vendin 51 në shkencat natyrore. Për këtë vit, është planifikuar të realizohet testimi provë PISA në mënyrë elektronike në periudhën nga prilli deri në maj.

Pandemia tregoi se mjetet digjitale mund të përdoren për të realizuar një lloj tjetër të mësimdhënies, por gjithashtu theksoi nevojën për mundësi të barabarta për të gjithë. Megjithëse ka përparësitë e tij, onlajn mësimdhënia mbart me vete edhe rreziqet e keqpërdorimit të të dhënave personale të nxënësve. Arsimi në distancë ka qenë dhe vazhdon të jetë një sfidë si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit. Dhe për këtë flet edhe hulumtimi i Fondacionit Metamorfozis që tregoi se mësimdhënësit përballen me më shumë probleme në onlajn mësimin.

Vaksinimi i popullsisë, i cili duhet të fillojë në tremujorin e parë të këtij viti, pritet të zvogëlojë numrin e rasteve të infektuara rishtas, dhe kështu të rikthejë funksionimin origjinal të të gjithë sektorëve në vend, përfshirë arsimin, gjegjësisht kthimin e fëmijëve në shkolla.

Exit mobile version