Site icon PORTALB

Franca do ta monitorojë vaksinimin me bazë të të dhënave personale

Koronavirus Covid19 vaksinë, foto: Daniel Schludi, Unsplash

Koronavirus Covid19 vaksinë, foto: Daniel Schludi, Unsplash

Komisioni Kombëtar i Francës për Informatikë dhe Liri (CNIL), organ i pavarur rregullator për privatësinë e të dhënave, i ka dhënë miratimin bazës së të dhënave të planifikuar nga qeveria për regjistrim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sistemi i Informacionit i Vaksinave për COVID-19 do të përfshijë të dhëna personale të individëve të vaksinuar.

Sistemi i regjistrimit do të hyjë në fuqi nga 4 janari. Për t’u zbatuar, monitoruar dhe drejtuar në mënyrë efektive vaksinimi kundër COVID-19, qeveria më 25 dhjetor kishte paraqitur një dekret, duke autorizuar krijimin e një sistemi informacioni që përpunon të dhënat personale në lidhje me vaksinimet.

Sipas detajeve të propozimit të dekretit, sistemi do të përfshijë të dhëna personale të identifikimit të personit të vaksinuar, detajet e kontaktit, datat e injeksioneve, vendin ku është administruar vaksina, informacionin e vaksinës së injektuar dhe detajet e profesionistëve shëndetësorë që kryejnë konsultën para dhe pas vaksinimit.

Ai gjithashtu do të përfshijë informacione shëndetësore të njerëzve dhe trajtimet që ata kanë ndërmarrë para vaksinimit dhe efektet anësore të mundshme që lidhen me vaksinimin.

Këto të dhëna do të mblidhen nga profesionistë të shëndetit që administrojnë vaksinimin dhe do të ruhen në sistemin e informacionit për një periudhë prej dhjetë vjetësh.

Qeveria ka thënë se sistemi do t’i mundësojë asaj “monitorimin statistikor të fushatës së vaksinimit” për të identifikuar personat e kualifikuar për vaksinim, duke dërguar kupona të vaksinimit tek këta njerëz dhe duke monitoruar furnizimin e vaksinave.

Të dhënat mund të aksesohen nga mjekët që trajtojnë personin e vaksinuar dhe organet publike si Fondi Kombëtar i Sigurimeve Shëndetësore (CNAM) ose Agjencia Kombëtare për Sigurinë e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (ANSM) për të kryer misionet e tyre.

Në një intervistë për FranceInfo, drejtori i CNIL-së, Thomas Dautieu, tha se CNIL u këshillua për këtë propozim-dekret për të verifikuar pajtueshmërinë e tij me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Rregulloren Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave. Ai shtoi se organi rregullator ka bërë rekomandime për të përjashtuar ata që nuk dëshirojnë të vaksinohen.

“Ne mund të kuptojmë se kur jemi vaksinuar, duhet të qëndrojmë në këtë skedar, veçanërisht për të menaxhuar atë që quhet farmakovigjilencë, nëse kemi, për shembull, efekte anësore. Por CNIL i ka sugjeruar qeverisë që në rast se njerëzit nuk duan të vaksinohen, ata mund të kërkojnë që të dhënat e tyre të hiqen nga ky skedar”, tha Dautieu.

Exit mobile version