Hulumtim: Qytetarët e duan BE-në, por vlerësojnë se qasja e saj kundrejt RMV-së është jokorrekte, shantazhuese dhe arrogante

Shumica e qytetarëve apo 67.3% vlerësojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është diçka e mirë për shtetit, një numër i madh prej tyre konsiderojnë se qasja e BE-së kundrejt RMV-së është e jokorrekte, shantazhuese dhe arrogante ndërsa si “kërcënim” kryesor të vendit e shohin Bullgarinë. Besueshmëria në institucionet publike, e ulët. Kështu tregojnë të dhënat e hulumtimit të “Eurothink”,  transmeton Portalb.mk.

Qytetarët e RMV-së vazhdojnë të shohin Bashkimin Evropian si rrugë të vetme për shpëtimin e ekonomisë, gjegjësisht si shpresë për standard më të mirë jetësor dhe zvogëlim të papunësisë. Gjegjësisht, 67.3% e të anketuarve konsiderojnë se BE-ja është “diçka e mirë” ndërsa 65.9% do të votonin për anëtarësimin e vendit në BE.

Me ndodhitë e fundit, gjegjësisht pas ndryshimit të emrit të RMV-së dhe “vetos” bullgare për fillimin e negociatave me BE-në, 52,9% e të anketuarve konsiderojnë se qasja e BE-së kundrejt RMV-së është jokorrekte, shantazhuese dhe arrogante. Vetëm 21,2% prej tyre konsiderojnë se qasje e BE-së kundrejt RMV-së është e drejtë, miqësore dhe korrekte. Megjithatë, shumica prej tyre, apo 55% pajtohen se Bashkimi Evropian është opsioni më i mirë për vendin.

Një e treta e qytetarëve të anketuar konsiderojnë se RMV-ja përballet me kërcënime nga ndonjë shtet. Sipas rezultateve, pjesa më e madhe konsiderojnë se ai shtet është Bullgaria apo, 77.88%. Secili i 5 qytetarë konsideron se RMV-ja nuk ka miq, ndërsa aleat më të mëdhenj i ka Serbinë, Gjermaninë, ShBA-në dhe Turqinë.

Në lidhje me perceptimin e institucioneve, qytetarët besim më të madh kanë te ushtria 63%, menjëherë pas saj është policia 43%, bashkësitë fetare 43%. Ndërsa, besueshmëria më e ulët e qytetarëve është te gjyqësori 14%, prokuroria 14%, dhe Komisioni Shtetërorë për Parandalimin e Korrupsionit 16%.

Qytetarët e RMV-së ndjehen të sigurt, para së gjithash në lagjen e tyre 82%, qytetin/fshatin e tyre 76% dhe në shtet 60%. Shqetësimet kryesore në lidhje me sigurinë qytetarët i lidhin me krimin, shëndetësinë/Kovid-19 si dhe me ekonominë. Edhe pse ata theksojnë se policia do ti mbroje në qoftë se është nevoja, të njëjtit janë skeptik se ky institucion është i pavarur nga politika, qeveria dhe interesat e bizneseve.

Ndërkaq, Eurometri është hulumtim sipas të cilës “Eurothink” në mënyre tashmë tradicionale hulumton mendimet e qytetarëve për pyetjet në lidhje me eurointegrimet dhe besimin e tyre në institucionet shtetërore. Hulumtimi është kryer nga ana e Agjencinë “Indago” në mënyrë reprezentative, edhe atë 1003 të anketuar në nivel nacional gjatë periudhës 10 – 21 dhjetor të vitit 2020. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button