Pierre Cardin – stilisti dhe pionier i modës prêt-à-porter për masat – ndërroi jetë në moshën 98-vjeçare. Ai lindi më 2 korrik 1922, si djali i një tregtari francez verërash pranë Venecias në Italinë veriore, njofton DW, transmeton Portalb.mk.
Kur ai ishte ende fëmijë familja u kthye në Francë dhe ai u rrit në qytetin industrial të Shën Etienit.
Në moshën 17-vjeçare Cardin nisi një kurs rrobaqepësie. Më vonë u transferua në Paris dhe filloi të punonte si dizajner mode pranë shtëpisë së modës Paquin.
Në vitin 1946 ai dizajnoi kostumet si dhe elementet e skenave për filmin legjendar bazuar në përrallën “Bukuroshja dhe Bisha” të poetit dhe regjisorit Jean Cocteau.
Pastaj ai kaloi tek stilisti Christian Dior, ku ndihmoi për krijimin e serisë legjendare “New Look” në vitin 1947. Tre vjet më vonë Cardin themeloi kompaninë e vet të modës.
Cardin konsiderohet së bashku me Paco Rabanne dhe André Courrèges si krijuesit e modës futuriste.
Cardin themeloi shtëpinë e tij të modës në vitin 1950 dhe në dekadat në vijim ai ndërtoi një perandori globale të biznesit.