Xhaferi: Seanca për ligjin për regjistrim mbetet për në janar, nesër mbahet seanca e parë për pyetje deputetësh

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në takimin e sotëm me gazetarë informoi se ligji për regjistrimin e popullsisë do të vendoset në rend dite në seancë parlamentare pas datës 18 janar. Ai tha se propozim ligji paraprak është tërhequr dhe janë bërë disa përmirësime, shkruan Portalb.mk. 

“Ligji për regjistrimin e popullsisë i plotëson kushtet për zbatim të këtij operacioni statistikor. Varet nga deputetët nëse do të dorëzojnë amendamente, ndërsa vet zbatimi i regjistrimit varet nga puna praktike në terren dhe si institucionet kompetente do ta zbatojnë. Ligji për regjistrim, pritet të vendoset në seancë pas 18 janarit”, deklaroi Xhaferi.

Ai paralajmëroi se nesër do të mbahet seanca e parë plenare për pyetje deputetësh të kësaj përbërjeje parlamentare, pas 100 ditësh të zgjedhjes së Qeverisë së re të kryeministrit, Zoran Zaev dhe kjo do të jetë e fundit për këtë vit.

“Seanca do të zhvillohet sipas procedurës së zakonshme të seancave për pyetje deputetësh, ndërsa përparësi do të kenë deputetët e partive opozitare, VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe E Majta. Çdo pyetje e tretë në seancën, e cila do të fillojë në orën 11, do të jetë nga deputetët nga shumica qeverisëse nga LSDM dhe BDI”, tha Xhaferi.

Kryetari i Kuvendit në vlerësimin e tij për punën e Kuvendit gjatë vitit 2020 në kushte skajshmërisht specifike për shkak të pandemisë me Covid – 19, tha se ajo që ka qenë më e rëndësishme është realizuar, pasi edhe përkrah vështirësive, Kuvendi ka qenë funksional, ndërsa më së shumti kjo situatë është rrefkëtuar në punën e mediave dhe raportimit nga aktivitetet parlamentare për shkak të zbatimit të masave për Covid-19 dhe mos lejimit të hapësirën për prezencë të ekipeve të gazetarëve në seancat e komisioneve. Por, ai tha se shpreson që në vitin 2021 do të tejkalohet kjo situatë, fillimisht, për shkak uljes eventuale të numrit të të sëmurëve dhe mundësive për arritjen e vaksinës në vend në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Sa i përket, çështjes së ndryshimeve të rregullores së Kuvendit, Xhaferi tha se nuk e ka për qëllim këto ndryshime t’i bëjë me forcë dhe se nuk planifikon të trajtojë 3000 amendamentet e dorëzuara nga opozita. Theksoi se pavarësisht vështirësive pas infektimit të disa deputetëve me koronavirus, opozita është treguar korrekte dhe kanë arritur të menaxhojë mirë situatën në aspektin kohorë.

“Opozita ka mundësuar të ketë kuorum, numri më i madh i deputetëve nuk kanë qenë të përfshirë nga pandemia, ka pasur disiplinë të përgjithshme. Kjo është fatmirësia e gjithë kësaj situate. Nuk ka pasur bllokim të kuvendit nga situata me pandeminë. Të gjithë që deri tani ishin të sëmurë e tejkaluan situatën pa pasoja, përveç një i punësuar në sektorin e përkthimit, i cili ndërroi jetë”, tha ai.

Ndërsa, në lidhje me ligjin për nënshtetësi, Xhaferi theksoi se si deputet gjithmonë i ka dhënë mbështetje dhe se nuk ka dilema për mbështetjen e këtij propozim ligji.

Pas festave të fundvitit dhe të Krishtlindjes, Kuvendi do të fillojë me punë më 11 janar me seancat që nuk kanë përfunduar, ndërsa seanca e re do të caktohet më 18 janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button