MOLLA

Rrija  me lapsin në dorë përmbi fletore. Ndjeja një siklet i cili më shfaqej në fytyrënë formë temperature, kurse midis vetullave m’u thelluan rrudhat. Jo nga pleqëria, por nga habia që ndjente ime bijë, Tringa që rrinte pak më tutje pranë tavolinës së saj të punës. Ajo më shikonte dhe e shihte se unë po hahem me vetvete.

“Po më duket se po të mundon diçka, baba?!”. Unë e ndrydha letrën në dorën e djathtë ë sapo e kisha grisur nga fletorja A4 dhe e hodh poshtë. “Baba, tregomë se çfarë halli ke”! E ktheva kokën kah ajo dhe i thashë:

“Asgjë e jashtëzakonshme Tringa e babit… Kam një hall i cili ty mund të të duket qesharak, por ja që mua s’më lë të qetë. Gjatë kohë para se të më marrë gjumi ky hall më sillet ndërmend ka disa net.

“Tregomë… Ku ta dish ndoshta mund të të ndihmojë, ani se s’e kam përvojën tënde”, tha Tringa duke e përtypur ngadalë çamçakëzin thuajse nuk mërzitej për mua. Dhe, kështu  e priste përgjigjen prej meje. Unë  heshtja ngase çamçakëzi të cilin e përtypte më bënte të mendoj se ajo po më pyet sa për një “eh”.

“Baba”?! e ngriti tonin Tringa, pak e shqetësuar. “Çka po të mundon, baba”?

“Molla”, moj bijë, “molla, Tringë… molla po më mundon. Të thashë”.

“Pse”? e pyeti e habitur Tringa. “Si mundka të të mundojë molla? Çfarë rëndësie paska një mollë”? Ajo vazhdonte me pyetjet e saj tash dukshëm e qetësuar. “Molla të të shqetësuaka?! Nuk po të kuptoj, baba!”, më tha ashtu me njëfarë indiference. Mua më preku pak, m’u duk si mospërfillje e saj ndaj meje, ndaj asaj që më jepte siklet në atë çast. Ajo m’u ofrua të më ndihmonte një herë, kurse tash e harroi mollën.

“Baba”, tha Tringa, “po thua molla?”…

“Po, molla”.

“Në ç’kuptim”?

Unë i rashë shkurt e shqip, me një dozë të ulët hidhërimi.

“Tringë”, i thashë, “më pyete me një gatishmëri të flasësh me mua, pastaj kur të thashë se molla ishte halli që më mundonte m’u duk se ti e le në asgjë muhabetin. A do tash ta vazhdojmë aty ku e lamë”?

“Ku e lamë”? pyeti Tringa.

“Ku je ti moj Tringë? Te molla moj… te molla ishte muhabeti”…

“Aha”, reagoi Tringa, “te molla po, por unë nuk e di thelbin e këtij halli”…

“Bëhu pak me serioze se nuk je aq e papërvojë sa mbahesh… Ti e di se mua më interesojnë gjerat që lidhen me traditën… Dua të di më shumë për mollën… Çfarë na ofron tradita jonë lidhur me simbolikën e kësaj peme”?

“Aaa, kurrë s’më ka shkuar mendja për këtë punë”… tha Tringa.

“A mos di ndonjë këngë popullore që lidhet me mollën”? e pyeta.

“Prit, prit”, u përgjigj ajo dhe u ndal e po mendonte. Prit, prit…” përsëriti. “M’u kujtua diçka interesante”.

“Hë! reagova unë duke i fërkuar duart. Kuptohet prisja diçka të veçantë, po Tringa pritjes sime për ndonjë përgjigje ia ktheu me pyetje:

“Baba, po ku të shkoi mendja te molla”?

“Tregomë, Tringë, a di diçka, apo nuk di”?!…

“Tash s’po më kujtohet ndonjë këngë, por m’u kujtua gjyshja”…

“Pse e si e lidhe gjyshen me mollën”, e pyeta.

“Po ajo çdo vjeshtë i mbushte raftet me mollë… I mbante si stoli. Dhe, jo çfarëdo stolie. Për të ishin stoli të shenjta. Vazhdimisht krenohej me mollët e renditura e gjithmonë më pyeste: Si të duken Tringë? A të pëlqejnë Tringë? A po sheh moj voglushja ime kështu duhet të jetë dhoma jonë. Me mollë të renditura në rafte. Mbaje në mend dhe kur të rritesh edhe t’i t’i renditish kështu në raft”.

“Po, me të vërtetë”, thashë. Ato mollë në raft ishin një veçanti jona e traditës. Nuk ishin vetëm mollë për stoli ose për t’i dhënë erë të mirë dhomës, por ishin diçka më shumë. Mirë ma kujtove Tringë”, i thashë. “Këtë ‘diçka më shumë’, dua ta gjej”…

“Baba, me siguri të kujtohet kur vinin mysafirë te ne, zakonisht gra, e nxirrnin një mollë, ia jepnin  gjyshes  e i thoshin: “shnet të ka ba nana!”, kurse gjyshja e merrte mollën duke ua kthyer përshëndetjen: “shnet paç!” dhe e vendoste në dollapin e saj si një dhuratë me vlerë..

“Ndal, ndal Tringë… prit t’i shkruaj këto gjera se harrohen. Dhe kur  i shkrova, u ktheva kah Tringa e po prisja. “Po diçka tjetër”?

“Molla e kuqe në majë të flamurit”… tha Tringa.

“Tjetër”, ishte pyetja pasuese imja.  Tringa e mbështeti kokën në dorën e vendosur me bërryl mbi tavolinë e tha:

“Mollën e gjen në Iliadë”, mollën e gjen te Sapfoja, mollën e gjen thuajse te të gjithë poetët antikë dhe te të gjithë këta molla lidhet me Erosin. Po mollën e ke edhe te Bibla… Për mollë në majë ta flamurit ka shkruar edhe Izaim Myrtezani. Besoj se ka edhe autorë të tjerë

“Po, po…”, thashë. “Ke të drejtë”.

“E sa për mollën në traditën tonë, kërkojë në këngët popullore nga ajo kënga kërçovare Pajki molla e kuçe maj çekmexhe…  Është interesant pse pajk molla maj çekmexhe  e “nuk pajk” ndonjë pemë tjetër.

“Tringë, të kam xhan”, i thashë duke përfunduar shënimet. Nuk e ke idenë sa më ke ndihmuar, sa idetë m’i ke dhënë. Do t’i nxis studentët të hulumtojnë nëpër terren. Jam i sigurt se molla fsheh diçka të lashtë për ne, diçka shumë të lashtë në simbolikën e saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button