Site icon PORTALB

Politika e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik

Selim Ibraimi

Selim Ibraimi

Moszhvillimi ekonomik dhe social ka qenë një ndër shqetësimet e botës së tretë dhe padyshim edhe të shteteve të reja post komuniste të Ballkanit Perëndimor. Këtu hynë edhe Maqedonia e Veriut e cila ka ndjekur një politikë jo të drejtë të denacionalizimit të pronës pas vitit 91. Maqedonia e Veriut trashëgoi një zhvillim të paqëndrueshëm ekonomik me rënie drastike të vlerës së punës së punëtorit, papunësi, migrim, rënie të eksportit dhe varfëri të skajshme. Ishte BE-ja e cila mund të themi kushtimisht e zëvendësoi ombrellën e sigurisë ekonomike për hapësirën ish-jugosllave. Në përgjithësi qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm Global Ekomomik (ZHQG -SDG) janë një gamë e gjerë çështjes prej 17 qëllimesh të ndërlidhura me një plan të qëndrueshëm për të gjitha shtetet. (ZHQG-SDG)-ja u vendos në vitin 2015 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe ka një agjendë mjaft të gjerë që ndryshimet të arrihen deri në vitin 2030.

Ato ndryshe quhen “Agjenda e 2030”-ës duke përfshirë këto fusha: (1) Shtete pa varfëri, (2) Zero uri, (3) Shëndet dhe mirëqenie të mirë, (4) Edukim cilësor, (5) Barazi gjinore, (6) Ujë të pastër dhe kanalizime, (7) Energji të përballueshme dhe e pastër, (8) Rritje ekonomike, (9) Industri, inovacion dhe infrastrukturë, (10) Ulje e pabarazisë, (11) Qytete dhe komunitete të qëndrueshme, (12) Konsumi dhe prodhimi i përgjegjshëm, (13) Kushte klimatike , (14)  Ujë, (15) Jetë të sigurtë në tokë, (16) Paqe, drejtësi, institucione të qëndrueshme dhe (17) Partneritet në mes shteteve.

Zhvillimi i qëndrueshëm është ngulitur mirë në Traktatet Evropiane dhe ka qenë në zemër të politikës evropiane për një kohë të gjatë. “Agjenda e 2030”-ës për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe 17 Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG), të miratuara nga OKB-ja në shtator të vitit 2015, i kanë dhënë një shtysë të re përpjekjeve globale për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. BE-ja është plotësisht e përkushtuar për të luajtur një rol aktiv dhe serioz për të maksimizuar përparimin drejt synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Eurostat që monitoron progresin drejt SDG-ve në një kontekst të BE-së vazhdon të raportojë për gjendjen e shteteve dhe nivelin e zhvillimit.

Grupi i treguesve të SDG-së përfshin rreth 100 tregues dhe është strukturuar më pas përgjatë 17 SDG-ve. Raporti i monitorimit siguron një paraqitje statistikore të trendeve në lidhje me SDG-të në BE gjatë pesë viteve të fundit. Kur Maqedonia e Veriut do të fillojë hapjen e kapitujve me BE-në, të gjitha 17 treguesit do të jenë në monitorim nga BE. Përpjekja drejt një ekonomie siç quhet e “karbonit” ka bërë që klientët dhe kompanitë të kërkojnë produkte më pak të dëmshme për konsumatorët e tyre. Për të zhvilluar produkte të tilla, prodhuesit janë kthyer në mënyrë të pashmangshme në fibra natyrore me bazë tashmë të njohur si bio. Maqedonia e Veriut ende është larg këtyre standardeve dhe për një zhvillim të tillë do t’i duhet një klasë tjetër e të edukuarëve për të qenë në koordinim me BE-në dhe 17 pikat. Por bio prodhuesit e Maqedonisë së Veriut mund të bëjnë shumë dhe të jenë konkurentë në të gjitha tregjet evropiane dhe ballkanike, pasi bio prodhimet duhet vetëm të stimulohen nga shteti dhe të gjenden tregje të huaja për plasmanin e prodhimeve.

Kontributi drejt synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm i BE-së për rajonin tonë, shihet nga projekti SSUCHY i financuar nga BE-ja. Projekti synon të krijojë dhe demonstrojë një zinxhir të plotë vlerash në fusha të caktuara ekonomike e cila mund të gjejë zbatim në industrinë e automobilave, hapësirës ajrore dhe elektronikës. Një projekt i tillë ende nuk ka filluar konkretisht në Ballkan por është në agjendën e BE-së. Nga njëra anë BE-ja na bën të kemi një zhvillim të drejtë dhe të barabartë nga mundësia për të pasur një qasje të shpejtë në vaksinën kundër COVID-19, pavarësisht nga buxhetet e shteteve. Në të njëjtën kohë kur do të shpërndahen në shtetet e BE-së, vaksinat do të arrijnë në edhe në Maqedoninë e Veriut për grup moshat më të rrezikuara. Rreth 500 milion euro, Brukseli ka ndarë për nismën globale të vaksinave COVAX që ka për qëllim të përshpejtojë përpjekjet ndërkombëtare për të vënë nën kontroll pandeminë dhe për të rritur shpërndarjen e efektshme të vaksinës në të gjithë globin.

Banka Evropiane e Investimeve (EIB) ka pranuar gjithashtu 400 milion euro për financim për të mbështetur pjesëmarrjen e ekonomive me të ardhura të ulëta dhe të mesme në angazhimin e tregut nga COVAX në COVAX AMC. Ky financim i aprovuar me shpejtësi, i garantuar nga Fondi Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm (EFSD) dhe po ashtu me mbështetjen prej 100 milion euro nga Komisioni Evropian (KE) për COVAX AMC do të mbështesë hyrjen më të suksesshme në vaksinat e sigurta kundër COVID-19 të më shumë se 92 shteteve më zhvillim të dobët ekonomik.

Nga shumat e mëdha të BE-së shihet se Brukseli po bën shumë jo vetëm për Ballkanin por edhe për shtetet tjera, që të kenë qasje në grantet dhe ndihmat e huaja për rimëkëmbjen ekonomike dhe shëndetësore. Vullneti i politikanëve të BE-së duhet shfrytëzuar nga vendet e Ballkanit për një zhvillim të dukshëm ekonomik dhe rritje të qëndrueshme të prodhimtarisë, uljes së papunësisë dhe stabilitetit socio-ekonomik si e vetmja strategji për të përballuar ndryshimet klimatike, pasigurinë ushqimore dhe rrjetin e shpërndarjes. Kryesore është që shoqëritë dhe demokracitë e reja të mos anojnë drejt qeverisjeve autokratike e që në fakt pamundëson zhvillim e qëndrueshëm ekonomik në Ballkan.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version