Heiko Maas: Gjermania nuk do të heqë dorë nga gjetja e zgjidhjes për mosmarrëveshjen midis Shkupit dhe Sofjes

Gjermania do të vazhdojë të punojë për një zgjidhjen e mosmarrëveshjes bullgaro-maqedonase edhe pas përfundimit të presidencës gjermane të BE-së në fund të këtij viti, tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mas në një intervistë për Dojçe Vele, njofton Portalb.mk.

“Ne jemi të fundit që frenojmë kur bëhet fjalë për këtë temë. Në thelb, kur bëhet fjalë për bllokadën, bëhet fjalë për marrëdhëniet bilaterale midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne, si presidencë e Këshillit të BE-së, kemi bërë shumë përpjekje në në drejtim të arritjes së një zgjidhje. Fatkeqësisht, pa sukses”, shtoi Mas.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësimin në BE, kanë bërë përparim të madh në vitet e fundit, veçanërisht Maqedonia e Veriut.

“Njerëzit atje e shohin të ardhmen e tyre në BE. Për atë arsye, patjetër duhet të jenë në gjendje të mbështeten në premtimet tona, përndryshe do të kthejnë shpinën”, theksoi Mas.

Shefi i diplomacisë gjermane vlerëson se perspektiva evropiane është një stimul i rëndësishëm për reformat politike dhe ligjore, të cilat janë gjithashtu në interes të BE-së.

Në intervistën me rastin e përfundimit të presidencës gjermane të Unionit, Mass gjithashtu iu referua pandemisë së kovid-19, buxhetit të ri të BE-së dhe Fondit të ndihmës, negociatat me Britaninë e Madhe pas “Brexit-it”, sundimi i ligjit në disa anëtare të bllokut, tensionet midis Greqisë dhe Turqisë dhe marrëdhëniet me Kinën.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet muajve të fundit, për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button