Syri i Kaltër është një vënd turistik shumë i bukur që ndodhet pranë rrugës midis Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një pikë shumë piktoreske ku nga një burim i kaltër me origjinë karstike nga Mali i Gjerë del një ujë i kristaltë
Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës.
Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e sipërme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”. Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, dhe deri sot është hulumtuar deri në 50 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.
Në kohën e komunizmit ka qenë e ndaluar vizita e këtij monumenti natyror për popullin e thjeshtë. Ai ka qenë privilegj për elitën e partisë.
Sot “Syri i kaltër” është vend ku njerëzit dalin në piknik dhe mahniten me bukurinë e tij.