Site icon PORTALB

VETËVRASJE

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Qilimat fluturues lundronin mbi kasabanë Tun-batun. Grigja po festonte metamorfozën duke cakërruar salepet nën ritmin e hiteve të përvajshme evgjite.

Plugu ishte poshtë në terrin e mjegullnajës zullullandeze. Kishte hapur çadrën për t’u mbrojtur nga përvëlimi i salepit të mohsave të etnisë fatkeqe dhe, nën dritën e kandilit, po bisedonte diç me Uliksin që kërkonte Itakën e humbur.

Papritmas u bë sërish ditë. Plugu ngriti kokën të shohë mos ndodhi e pandodhura, mos erdhi Fiqiri dhe zhbllokoi diellin? Por, jo! Mileti festonte lart mrekullitë e Denizullu-Serpes, i çakërdisur nga rengu i dhelprës që ua mësoi marifetin e vetëvrasjes së kush-jamit.  Drita vinte nga varrezat e kasabasë Tun-batun. Shpirtërat e ndritur të stërgjyshërve po ktheheshin në vatrat bosh të pinjollëve të goditur nga damllaja e tjetërsimit.

Plugu i luti të kthehen në qetësinë e varreve, ngase, siç u tha, s’kishin lënë asnjë borxh pa larë. Dhe ata u bindën me kusht që ky ta zbresë miletin në tokë.

Dhe, sa çel e mbyll sytë, akeu u tebdilos në skile të vjetër dhe i këndoi prej poshtë ode Koçobashit. E ky, vetëm me një yshtje gjysëmfrazëshe e hipnotizoi turmën hallakatur feste, e cila, disa sekonda më pas, u derdh në tokë si breshër. Por, ç’e do kur fluturimi i gjatë mbi pallavra jeniçerësh postmodernë e kishte bërë të veten dhe kishte mbyllur portat e kthimit në origjinë. Ky qe konstatimi i konziliumit të specialistëve, që ngritën duart të pafuqishëm para tragjedisë tun-batunase.

Kaq foli ai, dhe, pa i dhënë tjetrit mundësi të mendojë a të pyes çkadoqoftë, ia la në duar një uniformë të vjetër hamalli ujë te krojtë.

Bërrr! – i hipën në dridhurat Uliksit. Uniforma ishte e Sizifit. Ajo e flijimit utopik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version