Ministrja bullgare e Drejtësisë: Për 10 vjet 66 mijë maqedonas kanë marrë shtetësi duke dëshmuar prejardhjen bullgare

Pothuajse 66.000 maqedonas gjatë 10 viteve të fundit, kanë marrë nënshtetësi bullgare. Në të gjitha rastet, baza për dhënien e shtetësisë është dëshmia për prejardhjen bullgare, tha ministrja e Drejtësisë Desislava Ahladova, gjatë pyetjeve të deputetëve në parlamentin bullgar, shkruan gazeta bullgare Dnevnik, transmeton Portalb.mk.

“Në të gjitha rastet, baza për dhënien e shtetësisë është dëshmia e prejardhjes bullgare”, citohet të ketë thënë ministrja Ahladova.

Nga 1 janari 2010 deri më 22 tetor 2020, kërkesë për shtetësi bullgare kanë paraqitur 77.829 shtetas maqedonas, prej tyre 77.726 ishin me origjinë bullgare. Gjatë së njëjtës periudhë, 65.675 maqedonas morën shtetësinë bullgare me dekret presidencial.

Pyetjen e parashtroi deputeti i partisë qeverisëse GERB Hristo Gadzev.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet muajve të fundit, për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button