RMV, “Boll më” dekoruan EVN-në me trofeun “Hajni i Artë”, propozim ligji së shpejti në kuvend (VIDEO)

Iniciativa “Boll më” i dhuroi sot filialit të EVN-së në Tetovë trofeun “Hajni i artë”. Me këtë, siç thonë aktivistët që që kërkojnë ulje të çmimit të rrymës në RMV, dëshirojnë të “shpërblejnë” këtë kompani për të gjitha të arriturat gjatë funksionimit të saj. Në ndërkohë, vazhdojnë punët për propozim ligjin e iniciativës , shkruan Portalb.mk.

Iniciativa “Boll Më” të cilët protestojnë kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike tash 4 muaj e gjysmë sot i dhuruan EVN-së një pllakate, në të cilën kësaj kompanie i jepej epiteti “Hajni i artë”, kështu, Osmani bëri thirrje policisë që të bëje arrestime brenda EVN-së.

Trofeu i "Boll Më" për EVN.

“Gjithkund në botë ka trofe për të arriturat, ky trofe i paraqet të arriturat e EVN-së gjatë një dekade e gjysmë, i kemi lajmëruar përmes e-mailit që në ora 13:00 do të bëhet dorëzimi i trofeut, por askush nuk doli që ta marre. Ndërkaq policisë i them se krimineli është brenda, me dorëzimin e trofeut të bëje edhe arrestimin e kriminelit” tha Krenar Osmani.

Sipas Osmanit, fuqia e EVN-së në Maqedoninë e Veriut mund të jetë e barabartë me atë të “deep state” apo shtetit brenda shtetit, sepse siç theksoi ai, këta të fundit nuk duan të ja dinë as për ligj e as kushtetutë.

“EVN-ja është shembull konkret i shtetit brenda shtetit, këta funksionojnë me rregullat e veta, nuk ju bëjnë përshtypje as ligjet as kushtetuta. Duhet të kemi parasysh vlerat e larta të faturave të EVN-së gjatë kohës së pandemisë, që e tregojnë mënyrën e sjelljes së tyre mafioze, gangsterllëkun e tyre, kjo gjë fatkeqësisht ndodhë vetëm te shqiptarët, duke marrë parasysh shumën e parave që hyjnë në arkat e EVN-së në qytetet shqiptare dhe në pjesën lindore të shtetit, dallimi është stratosferik, kjo gjë duhet të ndaloje” shtoi Krenar Osmani.

Kërkesat e tyre i mbushin 4 muaj e gjysmë, çdo javë nga 1 protestë, asnjë reagim nga kompetentët!

Nga “Boll më” për injorimin e kërkesave të tyre nga ana e institucioneve kompetente theksuan se krijohen dyshime se këta të fundit janë të lidhura me njëra tjetrën, duke mos i lejuar ata të realizojnë politika të cilat kushtimisht do ta dëmtonin EVN-në.

“Nuk mundet në vitin 2020 të kemi kështu zhvatje dhe diskriminimi kundrejt shqiptare. Eshtë java e 14, katër muaj e gjysmë i kemi evidentuar të gjitha të metat dhe gabimet, manipulimet e EVN-së, Elemit dhe MEPSO dhe akoma Zaev dhe Qeveria e RMV- nuk gjejnë vullnet për të miratuar kërkesat e popullit dhe taksapaguesve, kjo gjë na bën të besojmë fuqishëm se Zaev dhe të gjithë njerëzit përreth tij janë të kapur nga EVN-ja dhe interesat e oligarkëve” tha Osmani.

Propozim ligji në kuvend brenda 1 muaji

Marrë parasysh se parlamenti i RMV-së është kompetent për të plotësuar vetëm tre prej kërkesave të “Boll Më”, këta të fundit realizimin e kërkesave të tjera do ta kërkojnë përmes Qeverisë së RMV-së.

“Jo, propozim ligji nuk i ngërthen të gjitha kërkesat për shkak se një pjesë prej tyre i takojnë ekzekutivit, nga të gjitha kërkesat tre janë te propozim ligji, jemi në negociata, shpresojmë që ose në fund të këtij muaji apo fillimi janarit, të hyje në kuvend. Votat e partive shqiptare na është thënë se i kemi, na kanë premtuar. Kemi problem me vullnetin e deputetëve të partive maqedonase” tha Krenar Osmani.

Cilat janë kërkesat e këshillit organizativ?

  • Anulimi i rritjes së fundit të çmimit së energjisë elektrike.
  • Zbritja e çmimit të kilovatit për 46%.
  • Eliminimi i monopolit të EVN-së
  • Ulja e TVSH-së nga 18% në 5%.
  • Krijimi i një trupi të tretë arbitrar i cili do të monitoroje punën e EVN-së, si dhe do të shqyrtoje kërkesat-ankesat e konsumatorëve.
  • Falja e borxheve të akumuluara të rasteve sociale
  • Shlyerja e kamatë-vonesave për të gjitha shtresat e konsumatorëve.

LEXO më shumë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button