RMV, shkolla në Reçicë, pritet të përfundoje para zgjedhjeve lokale 2021
Shkolla në Reçicë të Vogël e cila premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës gati 9 vite, filloi të ndërtohet 13 ditë para zgjedhjeve parlamentare të këtij viti ndërsa siç thonë autoritetet, parashihet të përfundoje në qershor të vitit 2021. Zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor 2021. Punimet në terren vazhdojnë, ka verifikuar Portalb.mk.
Ekipi i Portalb.mk ishte të enjten (3 dhjetor) në vendin ku po ndërtohet shkolla fillore në Reçicë të Vogël, edhe pse në ato momente mjete punuese kishte, punëtorë nuk prezent nuk kishte.
Megjithatë, banorët e lagjes përreth theksuan se aty çdo ditë punohet, duke shtuar se edhe përkundër kësaj, ata nuk besojnë se ky premtim do të realizohet ndonjëherë.
“Po, ka punëtorët, punohet çdo ditë. Po nuk e di çfarë bëjnë, unë nuk besoj, nuk është hera e parë që vijnë punëtorë, gjithmonë del diçka, e ndërpresin, jo nuk besoj se do të ndërtohet kjo shkollë” tha një nga banorët e lagjes ku parashihet ndërtimi i shkollës fillore.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës shprehen “të habitur pozitivisht” për dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, ata premtuan se e njëjta do të përfundoje në qershor të vitit 2021.
“Aktivitetet për ndërtimin e objektit të ri shkollor për nevojat e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël, komuna e Tetovës, po realizohet në mënyrë intensive, gjegjësisht nuk ka ndërprerje, në të kundërtën dinamika e punimeve momentalisht ka tejkaluar planin e paraparë” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Rikujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor të vitit 2021
Gjithsej, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndërtimi i kësaj shkolle e cila është nevojë shumëvjeçare e banorëve të Reçicës së Vogël ju ka kushtuar 84,34 milion denarë.
Praktika 8 vjeçare thotë se kjo temë hapet gjithmonë para cikleve zgjedhore
- 2013- Zgjedhjet lokale
Programi i vitit 2013 kandidates të atëhershme për kryetare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, parashihte ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël.
Kjo nuk ndodhi.
- 2017- Zgjedhjet lokale
Meqenëse shkolla e premtuar në vitin 2013 nuk u realizua, kryetarja Arifi të njëjtin premtim e dha edhe gjatë fushatës për zgjedhje lokale të vitit 2017 në debatin “Debat për nime” të organizuar nga Portalb.mk.
Gazetarja Jeta Xharra: Sa herë e keni premtuar ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël?
Teuta Arifi: E kam premtuar një here, aq premton njeriu, jo më shumë.
Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni përsëri?
Teuta Arifi: Absolutisht po.
Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni për ta kry shkollën apo për lejet?
Teuta Arifi: Premtoj se do të kryhet, për shkak se buxhetimi nuk do të vije nga Komuna e Tetovës.
- 2020- (Janar) menjëherë pasi u caktuan zgjedhjet e prillit.
Edhe pse kaluan 3 vite dhe aspak nuk u përmend ndërtimi i kësaj shkolle, disa ditë pasi u sigurua se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin prill, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” publikoi kontratën për ndërtimin e shkollës.
Sipas asaj kontrate, shkolla parashihej të hapej në shtator të vitit 2021. Megjithatë, me anulimin e zgjedhjeve të prillit, për pesë muaj rresht as një fjalë nuk është thënë për ndërtimin e kësaj shkolle.
2020- (Maj) disa ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e qershorit
Menjëherë pasi Portalb.mk informoi se punët për shkollën fillore në Reçicë të Vogël ende nuk kishin filluar, ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” njoftoi se ka nënshkruar vendimin për zjedhjen e kompanisë për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “Naim Frashëri”.
“Sot me kënaqësinë më të madhe e nënshkruajta Vendimin për zgjedhjen e Operatorit ekonomik (Kompanisë) me ofertën më të lirë për ndërtimin e objektit të ri shkollorë për nxënësit e SHFK “Naim Frashëri”, të Reçicës Vogël, komuna e Tetovës. Punimet fillojnë së shpejti!” shkruan ministri në Fejsbuk.
Ndryshe, Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.
- LEXO: Po punohet për shkollën në Reçicë të Vogël, objekti duhet të jetë gati në maj 2021
- LEXO: U premtua 8 vite, ndërkaq 13 ditë para zgjedhjeve filluan punimet për shkollën në Reçicë të Vogël
- LEXO: Reçicë e Vogël, Ademi edhe Arifi aktualizojnë temën e shkollës vetëm gjatë fushatave zgjedhore
- LEXO: Reçicë e Vogël: Kotec pulash në vendin ku u premtua shkolla, objekti s’do të ndërtohet as në vitin 2021 (FOTO)
- LEXO: Shkolla në Reçicë të Vogël u premtua 8 vite, pritet të hapet në shtator të 2021
- LEXO: Ministri Ademi foli për ndërtimin e shkollave në Idrizovë, Vizbeg, Reçicë dhe Bllacë
- LEXO: Mosndërtimi i shkollës në Reçicë të Vogël, ASH Tetovë: Arbër Ademi të japë dorëheqje
- LEXO: Reçica e Vogël ende pa shkollë fillore, premtimi i Arifit mbeti vetëm fjalë
- LEXO: Bexheti: Reçicën e vogël do e bëjmë me shkollë fillore