Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e mbrëmshme vendosi që t’i propozojë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut zgjatjen e gjendjes së krizës, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë propozim-vendim, i propozohet Kuvendit të RMV-së të miratojë vazhdimin e afatit për gjendjen e krizës deri më 30 qershor të vitit 2021”, raportojnë nga Qeveria.
Afati për gjendjen e krizës për momentin është deri më 19 dhjetor.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje deklaroi se, ajo çfarë ndodhë tani në vend është ulje serioze e presionit të pacientëve ndaj spitaleve, por se janë shumë të vëmendshëm pasi shumë herë deri më tani është dëshmuar se virusi është shumë i paparashikueshëm.
Sipas drejtoreshës së Klinikës Infektive në Shkup, Milena Stefanoviq, është e pritshme që numri i rasteve të vdekjes të jetë më i madh, duke pasur parasysh numrin e të diagnostifikuarve të ri dhe numrin e pacientëve të hospitalizuar.
“Nëse i ndiqni edhe trendet botërore do të shihni se me rritjen e numrit të rasteve të reja dhe mbushjen e kapaciteteve, numri i rasteve të vdekjes rritet. Ajo që ne e bëjmë është transprancë maksimale ndaj opinioni në lidhje me çdo numër, por edhe me numrin e vdekshmërisë. Po ballafaqohemi me pacientë me gjendje shumë të rëndës që nga pranimi kur është me të vërtetë e vështirë të ndihmohen dhe të shpëtohet pacienti, por gjithashtu edhe shohim pacientë të cilët janë mjekuar mirë pas tetë javëve dhe në fund e kemi humbur betejën për një sekond”, tha Stefanonoviq.
Asnjë pacientë nuk kthehet në shtëpi pa u kontrolluar, shtoi ajo.
Sipas statistikave të institucioneve shëndetësore në 24 orët e kaluar, janë evidentuar 1069 raste të reja nga 3012 testet e realizuara. Ministria e Shëndetësisë informoi se kanë ndërruar jetë 29 pacientë dhe janë shëruar 1242 të tjerë.
Numri më i madh i rasteve të reja janë nga Shkupi – 489, pas çka vijon Prilepi me 81, Kumanova me 60 pacientë, Gostivari dhe Shtipi me nga 42, Ohri me 41, Kavadari me 37 dhe Tetova, Struga, Velesi, Manastiri me nga 36.