Site icon PORTALB

Kuvendi zgjodhi Dobrilla Kacarskën gjykatëse të Gjykatës Kushtetuese

Dobrilla Kacarska

Dobrilla Kacarska

Me 61 vota “për”, Kuvendi dje zgjodhi Dobrilla Kacarskën për gjykatëse të re në Gjykatën Kushtetuese. Ajo para deputetëve mbajti fjalimin e saj duke nënvizuar se do ta kryejë punën me ndershmëri dhe se do ta respektojë Kushtetutën, njofton Portalb.mk.

Mandati i saj do të zgjasë 9 vjet, ndërsa ajo zëvendëson gjyqtarin aktual kushtetues Vladimir Stojanovski, mandati i të cilit skadoi në prill të këtij viti. Me zgjedhjen e Kacarskës, është kompletuar përbërja e Gjykatës Kushtetuese.

Partia opozitare VMRO-DPMNE kundërshtoi ashpër zgjedhjen e Dobrilla Kacarskës për gjykatëse kushtetuese dhe nuk mori pjesë në votimin parlamentar. Debati para zgjedhjes së gjyqtares së re kushtetuese u zhvillua në një atmosferë shumë të zhurmshme, për shkak të kundërshtimit të opozitës për zgjedhjen e saj.

Dobrilla Kacarska është një gjyqtare me përvojë 30 vjeçare, e cila ka gjykuar çështje si nga fusha penale, ashtu edhe nga ajo civile. Në pozitën e gjyatëses kushtetuese vjen nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, ku ajo ka qenë gjyqtare për krim të organizuar.

Exit mobile version