Pas një jave tensionuese, MV dhe Bullgaria të gatshme për dialog, ndërkombëtarët bëjnë thirrje që kontesti të mos bllokojë integrimet

Pas një jave me retorikë të ashpërsuar dhe atmosferë tensionuese mes Shkupit dhe Sofjes, që i parapriu vetoja bullgare në këshillin e ministrave të jashtëm të BE-së për kornizën negociuese të anëtarësimit të vendit në BE, duket se fillimi i kësaj jave ka sjell zbutje të komunikimit dhe të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për dialog dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë paralajmëroi se vendi nuk është larg marrëveshjes me Bullgarinë. Ai tha se nuk bisedohet për lëshime, por për zgjidhje mes dy palëve.

Zoran Zaev

“Ekzistojnë mënyra se si të zgjidhet ajo. Kuptohet, edhe njëherë potencoj, më vjen mirë që Bullgaria e pranon gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas si realitet i yni, ndërsa besoj se përmes këtyre formulimeve do të gjenden edhe zgjidhje sepse ekzistojnë zgjidhje, kuptohet duhet u kujdesur njëri për tjetrin si palë në marrëveshje – ne për palën bullgare, ndërsa pala bullgare të kujdeset për ne. Këtë e bëjnë miqtë dhe besoj se tregojmë edhe njëherë se jemi miq të mirë”, theksoi Zaev duke shtuar se shpreson se do të takohet me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov në këshillin e dytë të ministrave në dhjetor.

Ndërkohë, Borisov mbrëmë para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së deklaroi se e shtrin dorën e dialogut.

“Bullgaria çdoherë ka qenë e gatshme për dialog dhe mirëkuptim për zgjidhjen e çështjeve bilaterale me Maqedoninë e Veriut, por ajo duhet të dëshirohet dhe të zbatohet nga të dyja palët”, deklaroi Borisov.

Nga ana tjetër, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se janë shkëmbyer oferta dhe dokumente me Bullgarinë, për të cilat vlerëson se nuk është koha që t’i ndajë me opinionin si dhe se duhet të pritet reagimi nga Sofja.

Ali Ahmeti, BDI“Mendoj se nuk është koha të ndajë me opinionin informata për ofertat apo dokumentet e fundit që janë shkëmbyer. Do të presim të shohim reagimin nga Bullgaria. Është moment shumë i rëndësishëm që të demonstrojmë para gjithë qytetarëve, posaçërisht para bashkëqytetarëve tanë maqedonas, se e ndajmë edhe të mirën edhe të keqen dhe se do të qëndrojmë krah për krah së bashku edhe në zgjidhjen e këtij kontesti”, potencoi lideri i BDI-së.

VMRO DPMNE përmes një komunikate ka parashtruar pyetje se çfarë oferte për marrëveshje të re këto ditë i ka dhënë Zaevi Sofjes dhe a ofrohet ndryshim i ri i Kushtetutës.

Sipas kësaj partie, nevojitet që të votohet deklaratë në Kuvend, sipas së cilës do të negociohet me Sofjes.

“Nëse Zaev është për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase si pretendon formalisht le të ndalojë me bisedimet e fshehta, të votojmë deklaratë në Kuvend sipas së cilës do të zhvillohen negociatat me Bullgarinë. Por, Zaev ik sepse Zaev ka premtuar gjëra që tani nuk dinë se si t’i përmbushin”, thonë nga VMRO – DPMNE.

Ndërkaq bashkësia ndërkombëtare ka shprehur keqardhje për mosmarrëveshjet mes dy vendeve, duke bërë thirrje që palët të zgjidhje ato dhe kontesti bilateral të mos bllokojë procesin e eurointegrimeve të vendit.

Ilhan Kyçyk
Ilhan Kyçyk

Parlamenti Evropian pritet të del me një projekt-rezolutë, ku do të theksojë mosmarrëveshjet ndërmjet këtyre dy vendeve, duke shprehur keqardhje për moszgjidhjen e problemit më 17 nëntor. Projekt-rezoluta pritet të jetë pjesë e debatit nga 10 deri 16 dhjetor në Komisionin për punë të jashtme.

“Na vjen keq që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë arritur një kompromis për çështjet që lidhen me historinë dhe gjuhën, ne besojmë se do të zgjidhet së shpejti në mënyrë që të mos rrezikohet momenti i integrimit dhe është në pritje që Konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet pa anulim, e cila do ta shënojë fillimin e negociatave të anëtarësimit”, ka thënë Ilhan Kyçuk, raportuesi i parlamentit evropian, për RMV-në

Ambasadorja amerikane në vend, Kate Marie Byrnes, shpreson që Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me procesin e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian.

Ambasadorja amerikane Kate Marie Brynes në Universitetin e Evropës Juglindore.
Ambasadorja amerikane Kate Marie Brynes në Universitetin e Evropës Juglindore.

“Kemi shprehur shumë qartë dëshirën tonë që ta shohim konferencën e parë ndërqeveritare deri në fund të vitit. Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE e shohim si interes të përbashëkt”, deklaroi ambasadorja amerikane.

Sipas saj, kontestet bilaterale mes dy vendeve duhet të zgjidhen jashtë procesit të integrimit.

“Jemi të zhgënjyer që Bullgaria e bllokon procesin. Me të vërtetë është e rëndësishme dhe ne vazhdojmë të komunikojmë me Bullgarinë dhe me Maqedoninë e Veriut që dy vendet të vazhdpjnë ti zgjidhin kontestet bilaterale jashtë dhe ndaras nga procesi i eurointegrimeve”, deklaroi Byrnes.

Bullgaria bllokon fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, për shkak të kontesteve historike mes dy vendeve.  Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së që u mbajt më 17 nëntor, nuk u miratua korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut pasi Bullgari i vendosi veto, kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Sofja zyrtare kërkon respektimin e formulës për gjuhën nga viti 1999 dhe të konfirmuar me marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë, udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017, tekst shumë të qartë, në të cilin do të theksohet se Maqedonia nuk ka pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari. Shteti fqinj kërkon që këto kushte të përfshihen në kornizën negociuese.

Po ashtu, Bullgaria kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgaree dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Dy palët, në fillim të muajit edhe një takim në Berlin, me ftesë të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Hajko Mas. DW në një artikull të publikuar një ditë pas këtij takimi, shkruante se, palët arritën një marrëveshje për kapërcimin e bllokadës së paralajmëruar në BE, por Sofja më vonë u tërhoq nga marrëveshja.

Komisioni i përbashkët bullgaro – maqedonas, më 15 dhe 16 tetor zhvilluan takime në Shkup, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por ky tentim dështoi.

Komisioni për dy vite, pas arritjes së Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, ka arritur përparim të caktuar për periudhën antike dhe mesjetën, por jo edhe rreth çështjes së Goce Dellçevit.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.  Njëra ndër temat më të vështira është qasja ndaj figurës dhe veprës së Goce Dellçevit.

Por, Shkupi zyrtar ka bërë të qartë disa herë se nuk do të bëjnë lëshime sa i përket gjuhës dhe identitetit maqedonas dhe se nuk do të negociojnë sa i përket kësaj çështje. Megjithatë, zyrtarët e shtetit kanë shprehur optimizëm se kontesti mund të tejkalohet dhe vendi mund t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button