RMV, 36 pacientë me gjendje të rëndë u pranuan, derisa 31 u lëshuan të shëruar nga qendrat për Kovid-19 në Shkup
Dje u pranuan gjithsej 36 pacientë tjerë në qendrat për Kovid-19 në Shkup, duke shkuar numri në 467 pacientë që po trajtohen vetëm në Shkup, derisa raportohet se janë edhe 25 vende të lira, transmeton Portalb.mk.
“Në 24 orët e fundit në qendrat kovid në Shkup, janë strehuar 36 pacientë të rinj për shkak kompkimimeve nga virusi korona. Gjithsej 467 pacientë po shërohen në repartet infektive në Shkup në lidhje me Kovid-19”, raportojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në periudhën e njëjtë janë liruar nga qendrat e kovidit 31 pacientë të shëruar.
“Përkundër numrit të lartë të pranimeve dje, sot deri në orën 8 të mëngjesit kishte 25 vende të lira, ndërsa pritet që gjatë ditës pas regjistrimit të pacientëve të shëruar të lirohen vende shtesë edhe në Klinikën për sëmundje ngjitëse dhe SPQ “8 Shtator”, njoftojnë nga MSH-ja, duke sqaruar që në “8 shtator” ka gjithsej 106 të sëmurë, derisa në Klinikë 155 pacientë.
Ministria raportoi se dje janë shtuar edhe 43 shtretër për pranimin e pacientëve të infektuar me Kovid-19 në gjendje të rëndë, prej tyre 26-të në “8 shtator”, duke e rritur kapacitetin në 106 vende.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut përkundër rritjes së kapaciteteve spitalore për trajtimin e pacientëve me Kovid-19, filloi të shfaqet krizë në lidhje me mungesën e shtretërve për pacientët e infektuar në gjendje të rëndë shëndetësore. MSH-ja planifikon rritjen e kapaciteteve përmes bashkëpunimit me spitalet private.
“Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe zhvilloi takim pune me pronarët e spitaleve private “Zhan Mitrev”, “Sistina” dhe “Remedika”. Bisedimet ishin konstruktive, a spitalet private shprehën qëndrim pozitiv në lidhje me shfrytëzimin e resurseve të tyre nga shteti në lidhje me trajtimin e pandemisë”, raportojnë nga Ministria e Shëndetësisë.