“Monstra”, Gjykata e pranoi propozimin e Fetait, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri në paraburgim

17:00 – Këshilli Penal i Gjykatës Themelore të Shkupit e ka pranuar propozimin e prokurores Fatime Fetai për t’u caktuar paraburgim dy të akuzuarve, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailloviq, për shkak rrezikut nga arratisja, njofton Portalb.mk.

“Të akuzuarit Fejzi Aziri i është caktuar paraburgim prej 30 ditëve dhe i njëjti është dorëzuar në Burgun Hetues në Shkup ku gjendet i akuzuari, derisa për Agim Ismailloviqin është caktuar masë paraburgimi nga gjetja gjegjësisht privimi nga liria dhe është dorëzuar në MPB”, informojnë nga Gjykata.

Në orët e pasdites, policia ka arrestuar edhe Agim Ismailovicqin dhe e ka dërguar në burgun e Shutkës.

12:50 – Nga frika apo rreziku se do të arratisen, prokurorja Fatime Fetai ka propozuar që të akuzuarve në rastin “Monstra”, Agim Ismailloviqit dhe Fejzi Azirit t’u shqiptohet paraburgim. Për këtë, Prokuroria propozon që edhe të akuzuarit Haki Aziri t’i përforcohet masa e paraqitjes në Gjykatë, gjegjësisht ai të paraqitet çdo ditë, ndërkaq për Sami Lutën mbetet masa e njëjtë – të paraqitet dy herë në javë në Gjykatë. Mbrojtja po e kundërshton këtë propozim dhe e quan irracional, njofton Portalb.mk.

Fetai në sqarimin e saj tha se po e propozojnë këtë masë pasi gjykimi është nga fundi, a sipas saj, provat nuk janë në favor të të akuzuarve dhe për këtë ata mund të arratisen.

“Procedura penale është në fund. Sipas dinamikës së veprimit dhe vendimeve për pranimin e dy provave të fundit, është e qartë se procedura për më së shumti për dy seanca do të mbarojë. Duke e pasur parasysh afrimin e momentit të vendimit që ne si prokurori vlerësojmë se bazohet vetëm në fakte dhe prova, a për të cilët të akuzuarit janë të vetëdijshëm se nuk janë në favor të tyre, vlerësoj se masat për sigurimin e prezencës së të akuzuarve që janë aktualisht, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar arratisjen. Me të gjitha këto rrethana janë të njoftuara edhe mbrojtja edhe të akuzuarit, që tregon atmosfera e tensionuar”, tha Fetai, duke shtuar që pret që të akuzuarit të dënohen.

“Është populiste dhe me qëllim reklamues këtë që po e propozon Prokuroria dhe nuk është hera e parë. Ajo po e bën këtë me qëllim që të parandalojë zbulimin e të vërtetës. Do të propozoj që të largohet prokurorja nga rasti”, tha Raufi duke shtuar se deri kur do t’i durojmë privilegjet e “Engjujve të Çarlit”, të cilët bëjnë trysni që t’i tërheqim dëshmitarët.

Sipas ekspertëve të konsultuar nga Portalb.mk, propozimi i Prokurorisë duhet të dorëzohet fshehtë e jo në seancë publike, ashtu siç sot e ka bërë prokurorja. Sipas tyre, propozimi për paraburgim nuk dorëzohet në publik, pasi që nuk duhet t’i tregohet të akuzuarit se do të paraburgosim, a në ndërkohë nuk ka një vendim të tillë.

Në fakt ashtu ndodhi, pasi mbaroi seanca, prokurorja i tha gjykatësit se çfarë do të bëhet me të akuzuarit, ai tha se nuk ka të drejtë t’i ndalojë dhe të gjithë u larguan. Këshilli Penal i Gjykatës Penale pritet që gjatë ditës së sotme të vendos për këtë propozim.

Aziri dhe Ismailloviq i mohuan pretendimet e Prokurorisë

Pavarësisht se Aziri ndodhet në burg dhe të njëjtin duhet ta mbajë deri më 8 shtator të vitit 2020, Prokuroria vlerëson se ai përdor privilegje atje, gjegjësisht ndodhet në repartin e hapur të burgut dhe ka gjasa që të arratiset më lehtë se sa nga paraburgimi. Prokuroria tha se ai dy muaj është arratisur dhe ka nënshtetësi edhe të Kosovës.

Por, mbrojtja iu kundërpërgjigj Prokurorisë duke e mohuar deklaratën e tyre. Fejzi Aziri deklaroi se është e pavërtetë që ka qenë i arratisur.

“Në fakt kam qenë në spital dhe në atë kohë është ndaluar mbajtja e burgimit. Kam qenë i qasshëm në çdo kohë”, deklaroi Aziri.

Derisa po i kundërshtonte Aziri pretendimet e Prokurorisë, u tensionua situata mes prokurores Fetai dhe avokatit mbrojtës Naser Raufi. Pas përleshjes verbale mes Fetait dhe Raufit, gjykatësi Stavrev urdhëroi që Raufi menjëherë ta lëshojë sallën.

Prokuroria vlerëson se Ismailloviqi e ka të lehtë arratisjen në Kosovë, duke e pasur parasysh dhe që nuk ka nënshtetësi dhe nuk është i martuar. Ismailloviq e demantoi Prokurorinë.

“E demantoj Prokurorinë se unë kam për qëllim të arratisem, nëse do të ishte ashtu atë do ta bëja atëherë kur u shfuqizua paraburgimi. Unë jam këtu për çdo vendim që sjellë Gjykata. Në lidhje nënshtetësinë, unë kam certifikatë të lindjes të Maqedonisë së Veriut. Nuk është e vërtetë që nuk jam i martuar, madje kam dhe çertifikatë kurorëzimi të Maqedonisë së Veriut që nga viti 2008”, tha Ismailloviq.

Sot duhej të dëshmojnë Angellço Georgievski dhe Islam Zekiri të propozuar si dëshmitarë nga mbrojţja, megjithatë të njëjtët do të deklarohen në seancën e radhës më 30 nëntor pasi që seanca e sotme u anulua për shkak se avokati Asmir Alispahiq është sëmurë.

Në mëngjes mediat vërshuan me lajme se seanca anulohet, por e njëjta ende nuk kishte filluar. Për këtë reagoi edhe vetë gjykatësi Ognen Stavrev.

“Ka njoftime që madje është anuluar a ne ende s’kemi filluar, nuk e di si munden disa portale që të informojnë ashtu”, tha gjykatësi.

Seanca, megjithatë joformalisht vazhdoi për propozimin e Prokurorisë.

Seanca e kaluar gjyqësore për rastin “Monstra” u anulua pasi që avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare për ta mbrojtur të akuzuarit Afrim Ismailloviq, Milica Grozdanovska, ka qenë në izolim.

Gjykimi po shkon drejt fundit, dhe sipas paralajmërimeve paraprake të gjykatësit të lëndës, Ognen Stavrev por edhe të prokurores Fatime Fetai kanë mbetur edhe 2 seanca deri në fjalët përfundimtare.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button