Në Gjykatën Speciale në Hagë është mbajtur seanca fillestare për gjykimin kundër ish shefit të Shërbimit Informativ të UÇK-së, Kadri Veselit, në të cilin ai po akuzohet nga Dhomat e Specializuara që bashkë me ish krerët e UÇK-së, gjatë periudhës së luftës në Kosovë kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Veseli u deklarua se nuk ndihet fajtor për këto akuza, njofton Portalb.mk.
Në fillim të gjykimit, gjykatësi Nicolas Guillou e njoftoi Veselin me të drejtat e tij si palë e akuzuar, ndërkaq më pas e urdhëroi sekretaren e Gjykatës t’i lexojë 10 pikat e akuzës së konfirmuar.
- Përndjekje, krim kundër njerëzimit
- Burgosje, krim kundër njerëzimit
- Ndalim arbitrar, krim lufte
- Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit
- Trajtim mizor, krim lufte
- Torturë, krim kundër njerëzimit
- Torturë, krim lufte
- Vrasje, krim kundër njerëzimit
- Vrasje e paligjshme, krim lufte
- Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit
“Ato u kryen në këto vende si: Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende tjera në komunë e Podujevës, vende tjera në komunën e Rahovecit, Drenasit, Ferizajt, Gjilanit, Jabllanicë në Gjakovë, Kaçanik dhe vende tjera në komunën e Lipjanit, Likoc në Skenderaj, Malishevë, në Klinë, Novobërdë, vende tjera në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Suharekës dhe Viti dhe Cahan dhe Kukës në Shqipërinë veriore”, tha ai.
Sekretarit tha se krimet në pikat 1,2,4,6,8, 10 u kryen si pjesë e një sulmi ndaj popullatës civile. Këto krime kishin në shënjestër kundërshtarët që kishin lidhje me forcat e ish Republikës së Jugosllavisë (Serbisë), nuk përkrahnin UÇK-në dhe ishin kundër qeverisë së përkohshme duke përfshirë edhe persona që kishin lidhje me LDK-në.
Kurse krimet në pikat 3.5.7.9 u kryen kundër personave që nuk merrnin pjesë në luftime aktive.
Pasi u lexua aktakuza, ish-kreu i Parlamentit dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u deklarua i pafajshëm.
“Faleminderit i nderuar gjykatës, i dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë dhe jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli.
Mbrojtësi i tij, Ben Emmerson ka kërkuar që Veselit ë lirohet nga paraburgimi deri në kohën kur të fillon gjykimi ndaj tij.
Seancës së sotme i kanë paraprirë seancat e djeshme ku të akuzuar në po të njëjtën akuzë janë, ish kryeparlamentari, Jakup Krasniqi dhe ish presidenti Hashim Thaçi, të dy ish eprorë të UÇK-së. Pritet që të deklarohet edhe Rexhep Selimi.