Site icon PORTALB

Afganistani, nga 2014 ndoshta pa trupa amerikane

Deri më tani, sipas zyrtarëve të mbrojtjes, ka patur opsione mes 6000 dhe 15000 trupa që duhet të qëndrojnë në Afganistan

Administrata Obama po konsideron mundësinë e tërheqjes së të gjithë trupave ushtarake nga Afganistani, pas përfundimit zyrtar të misionit të NATO-s në fund të vitit 2014, bënë të ditur zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë. 

Komentet e Ben Rhodes, zëvendës këshilltari për sigurinë kombëtare, vijnë pasi Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë kanë diskutuar mbi numrin e ushtarëve, që mund të lihen në Afganistan pas 2014-s, për të luftuar rebelët dhe për të trajnuar forcat e sigurisë afgane.

Presidenti afgan Hamid Karzai dhe presidenti Obama do të takohen në Washington ditën e premte.

Rhodes tha se administrata po konsideron disa opsione, teksa një skenar është tërheqja e të gjithë trupave nga Afganistani. Deri më tani, sipas zyrtarëve të mbrojtjes, ka patur opsione mes 6000 dhe 15000 trupa që duhet të qëndrojnë në Afganistan, bazuar në vlerësimin e komandantit më të lartë të SHBA-ve atje, gjeneralit John Allen.

“Kemi një objektiv për të siguruar se nuk do të ketë asnjë strehë të sigurt për al-Qaeda-n në Afganistan, si dhe të sigurojmë se qeveria afgane të ketë një forcë sigurie të mjaftueshme, sërish të aftë për të siguruar stabilitetin e qeverisë dhe për të mos strehuar më rebelë”, tha Rhodes.

“Kjo është arsyeja pse ne po shikojmë disa opsione në lidhje me numrin e ushtarëve që mund të qëndrojnë atje, apo t’i tërheqim të gjithë”, vazhdoi ai. /portalb/

Exit mobile version