Site icon PORTALB

SIME SHOQE

Foto nga Nora Jesenski

Kaq afër jemi, por kaq larg,
Të lutem mos më prit,
Na ndajnë terre rreth e qark,
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd,
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb,
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar,
Ndaj jetës së gëzuar,
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres,
Një udhë fort të gjatë,
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë.

Poezi nga Mitrush Kuteli

Exit mobile version