Rindërtimi i Ballkanit 

Nuk është e rastit se pse zgjodha të shkruaj për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Nëpër qytetet dhe fshatrat tona shpeshherë shohim shenja me logon e BERZH-it dhe një mbishkrim ku thuhet:” Ky projekt mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”.

BERZH-in më shumë e kemi hasur gjatë tre dekadave të fundit në Ballkan dhe në Maqedoninë e Veriut, pasi lidhet me vetë kohën e themelimit të kësaj banke kaq të rëndësishme për shtetet post- konfliktuale dhe atyre të pazhvilluara. Banka ishte e mirëseardhur për ish -republikat e dala nga Federata jugosllave, për ndihmat konkrete dhe mbështetjen financiare.

BERZH-i u krijua për të ndihmuar shtetet e pas Luftës së Ftohtë. Që atëherë kjo bankë ka luajtur një rol historik dhe vendimtar, duke investuar më shumë se 145 miliardë euro dhe mbi 5,700 projekte në të gjithë rajonet e pazhvilluara.

BERZH-i u ngrit për të përmbushur sfidën e një momenti të jashtëzakonshëm në historinë politike të Evropës, pas shembjes së komunizmit në Lindje dhe në Ballkan. Ideja për një bankë evropiane rrjedh nga ish presidenti francez Fransua Miteran, në tetor të vitit 1989.

Marrëveshja e themelimit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim u nënshkrua në Paris në 29 maj të vitit 1991. Ndryshimet e mëposhtme janë bërë në disa nene duke filluar nga neni 1 i tetorit të vitit 2006, neni 1 i 8 shtatorit të vitit 2012 dhe neni 1 i shtatorit të vitit 2013.

Nevoja dhe aftësia për t’iu përgjigjur ngjarjeve të rëndësishme botërore me shpejtësi dhe vendosmëri kanë qenë ndër shenjat që e dallojnë BERZH-in. Shumë më lehtë një institucion mund të fitojë një grant nga BERZH-i, se sa një projekt nga organizatat tjera ndërkombëtare.

Gjatë viteve të 90-ta, theksi i BERZH-it ishte vënë në sektorin privat në Evropë dhe në Ballkan. Kjo ishte periudha që vendosi reputacionin e BERZH-it ndërkombëtar. BERZH-i u themelua në bazë të një traktati ndërkombëtar në mes shteteve. Banka u përfshi në shumë në fusha zhvillimi, duke filluar nga reformat e sistemit bankar, liberalizimi i çmimeve, privatizimi dhe krijimi i kornizave të duhura ligjore për të drejtat e pronës. Kjo periudhë dëshmoi gjithashtu fillimin e punës së BERZH-it për të ndihmuar në ruajtjen dhe transformimin e vendeve që rrezikojnë sigurinë ndërkombëtare.

Sipas marrëveshjes, BERZH-i promovon, përmes investitorëve privatë krijimin, përmirësimin dhe zgjerimin e sektorit prodhues konkurrues në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Mobilizon kapitalin vendas dhe të huaj dhe bën menaxhimin e burimeve në nxitjen e investimeve, duke përfshirë sektorët e shërbimeve dhe financave, deri tek nismat për një mjedis dhe standard të avancuar.

Banka është aktive në gati pothuajse 40 shtete anembanë botës, por duhet theksuar se pandemia vazhdon të jetë një sfidë e madhe për BERZH-in. Kjo bankë shpreson se zotimet e reja të financimit në Ballkanin Perëndimor, do të arrijnë deri në 1.5 miliardë euro deri në fund të vitit 2020.

BERZH-i deri më tani është zotuar për financim të ri me vlerë 830 milion euro për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe prej tyre, 480 milion euro është dekiduar për Serbinë. Kjo bankë bashkëpunon edhe me institucione tjera financare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Evropiane të Investimeve (EIB).

Sipas raportit të bankës, aktiviteti i BERZH-it në Maqedoninë e Veriut përfshinë 136 projekte me 2,061 milion euro. Investime kumulative të BERZH-it kemi rreth 1,120 milion euro. Pjesa e sektorit privat të portofolit është 62 projekte. Numri i projekteve aktive të portofolit shkon në 850 milion euro dhe portofoli aktual i projekteve 382 milion euro. Më një shpërndarje të mirë të projekteve të BERZH-it Maqedonia e Veriut mund të fitojë shumë në infrastrukturë dhe në investimet tjera ku nevojitet ndërtimi i fabrikave që mund të ulin papunësinë në MV dhe të parandalojnë ikjen e popullatës aktive.

Kjo vlen për pushtetin qendror dhe lokal ku nga BERZH-i mund të fitojnë ‘grante’ për të përmirësuar gjendjen e popullsisë, duke filluar nga ndërtimi i shtretërve të lumenjve, kanalizimeve, ujrave të zeza e deri në investime që e bëjnë qytetarin e Maqedonisë së Veriut të ndjehet si në BE.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button