Gjithnjë e më pak mendim kritik, gjithnjë e më shumë dezinfomata, propagandë dhe gjuhë të urrejtjes

Dje në kuadër të ‘Ditëve të edukimit mediatik’,  projekti “Mendim kritik për qytetarët me shkathtësi mediatike- Krithink, i zbatuar nga Fondacioni “Metamorfozis” dhe “Eurothink” me mbështetjen e Bashkimit Evropian, organizoi diskutim publik në panel, në të cilin u analizuan rezultatet e hulumtimit mbi edukimin mediatik dhe të menduarit kritik të kryer vitin e kaluar, si dhe përvojat në terren për edukimin në këtë fushë, njofton Portalb.mk.

“Situata e vështirë ekonomike e mediave reflektohet në cilësinë shumë të dobët të përmbajtjes gazetareske, produkte të dobëta, dhe për pasojë një interes të dobët për punësim në këtë fushë. Situata e dobët financiare e mediave i bën punëtorët e medias lehtësisht të prekshëm dhe të ndjeshëm nga presionet direkte ose indirekte. Përqindja më e madhe e të anketuarve besojnë se tërheqja ndaj profesionit të gazetarit është në rënie të vazhdueshme, e dominuar nga perceptimi i pagave të ulëta dhe kushteve të këqija të punës, mosbesimit ndaj profesionit të gazetarit, si dhe standardeve në rënie të gazetarit dhe lirisë së shprehjes. Gjysma e të anketuarve besojnë se partitë politike janë burimi më i madh i presionit”, thuhet në hulumtimin e  “Metamorphosis” dhe “Eurothink”, të cilin e prezantoi Ivan Stefanovski.

Lidhur me lirinë e shprehjes, Stefanovski shtoi se është bërë një hap i madh në periudhën nga viti 2017 e këndej, por prapëseprapë edhe sipas raportit të Komisionit Evropian, ka ende shumë punë për tu bërë në këtë fushë. Lidhur me gazetarinë hulumtuese, u vërtetua se mungojnë kapacitetet financiare, por edhe burimet njerëzore, dhe pothuajse të gjithë të anketuarit janë përgjigjur se gazetarët kanë vevojë për aftësi shtesë, njohuri dhe trajnime, si dhe edukim më i madh mediatik për qytetarët.

Vesna Nikodinoska, prezantoi një hulumtim nga Instituti Maqedonas për Media – IMM, n; t; cilin thuhet se gjuha e urrejtjes, propaganda dhe dezinformimi shënuan një periudhë të gjatë dhe të errët në sferën politike dhe mediatike nga viti 2008 deri në vitin 2016, por v;rehen edhe këtë vit kur ka rritje, e cila është veçanërisht karakteristike për hapësirën e Internetit.

“Ka media që favorizojnë hapur opsione politike, përhapin dezinformata dhe gjysmë të vërteta në favor të qendrave politike në pushtet. Janë vërejtur disa raste, ku përmes mediave onlajn dhe rrjeteve sociale disa gazetarë dhe redaktorë ishin në shënjestër të kërcënimeve, fyerjeve dhe gjuhës së pahijshme dhe gjuhës së urrejtjes. Mediat e internetit nuk i nënshtrohen rregullimit të mediave, ndërsa një numër i madh prej tyre që nuk kanë pronësi transparente nuk janë pjesë e organeve vetërregulluese. Gjuha e urrejtjes vazhdon edhe për shkak të praktikës së mosndëshkimit dhe mosveprimit të institucioneve kompetente,” tha Nikodinoska.

Ajo potencoi edhe rolin e kompanive si reklamues në mediat online dhe vuri në dukje se ata që shkelin vazhdimisht standardet profesionale dhe etike kanë më shumë reklama sesa portalet informative. Prandaj, në debat u theksua rëndësia e përgjegjësisë shoqërore të reklamuesve kryesorë të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm se ku reklamojnë dhe të mbështesin vlerat e vërteta të gazetarisë profesionale.

Gjorgji Mitrevski nga Instituti për hulumtim i zhvillimit social RESIS prezantoi hulumtimin e bërë për Agjencinë për Shërbime Audio dhe Audiovizive si dhe për OSBE-në, i cili prezantoi zakonet e qytetarëve për të përdorur mediat tradicionale dhe internetin si burime të informacionit, por se edhe grupmosha e rritur përdor internetin për informim.

Një vëzhgim interesant nga ky prezantim është se 72 përqind e të anketuarve informacionet i marrin përmes internetit, por e kontrollojnë atë përmes ndërveprimit me njerëz të afërt, gjegjësisht njerëz nga rrethi, jo përmes kanaleve të tyre të besueshme.

“Nga mediat tradicionale, televizioni është dominues dhe nga ai informohen 83 përqind e të anketuarve. Por e njëjta përqindje e të anketuarve i qasen edhe internetit. 76 përqind e të anketuarve, për ngjarjet në baza ditore informohen nga televizioni dhe interneti. Prej tyre 89 përqind nga postimet në Facebook, 59 përqind nga uebfaqe që grumbullojnë të gjitha lajmet e mediave, 49 përqind që vizitojnë portalet” thuhet në një pjesë të këtij hulumtimi prezantuar nga Mitrevski.

Gjetjet gjithashtu treguan se qytetarët kanë mosbesim të barabartë në informim si nga ana e televizioneve ashtu edhe nga portalet.

“60 përqind e të anketuarve u përgjigjën se lajmet në portale janë të ngjyrosura politikisht, ata mendojnë se ngjarjet janë kontruuar dhe përcjellin histori të pasakta. Audienca vëren informacione të shpikura dhe lajme të rreme. Mbi 50 përqind e të anketuarve, vërtetësinë e lajmit e verifikojnë përmes bisedave me njerëz të afërt, ndërsa vetëm një përqindje e vogël përmes hulumtimeve, krahasuar me burimet përkatëse”, shtoi Mitrevski.

Petrit Saraçini nga Qendra për Liri- CIVIL, i cili vëzhgoi periudhën parazgjedhore, vuri në dukje se në fushatën 21 ditore politike kishte pasur të paktën katër përpjekje për veprim të orkestruar dhe të organizuar duke përhapur gjuhë urrejtjeje, dezinformim, lajme të rreme në mediat online dhe rrjetet sociale me qëllim të diskreditimit, përpjekje për të sulmuar kandidatët politikë, dhe jo rrallë edhe njerëzit që nuk morën pjesë fare në procesin zgjedhor.

“Propaganda, dezinformimi dhe urrejtja në mediat online dhe në rrjetet sociale shkaktojnë përçarje mes qytetarëve dhe manifestohet përmes gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve. Shumë shpesh urrejtja nga bota virtuale zhvendoset në realitet, e cila rezulton në incidente, kërcënime me armë, vandalizëm, sulme, dhunë. Shteti nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për t’u marrë me dezinformimin, kurse as ata mekanizma që i kemi  nuk përdoren si duhet për të zvogëluar serinë e veprave penale”, tha Saraçini.

Ai shtoi se kemi suksese të vogla, por të pamjaftueshme për vetë-rregullim në media, sepse ata që krijojnë përmbajtje ndjellëse nuk janë pjesë e mekanizmave të vetë-rregullimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button