Rrugë me gropa dhe të pasigurta, vizitorët ankohen për kushtet infrastukturore në kanionin e Matkës
Infrastrukturë e lënë pas dore, rrugë të parregulluara dhe me gropa janë disa nga problemet të cilët hasin automjetet dhe këmbësorët që zgjedhin që në kohën e tyre të lirë, të gjejnë rekreacion në kanionin e Matkës, që është një ndër vendet më atraktive turistike në Shkup, por edhe në vend dhe një ndër vendet më të vizituara nga qytetarët në vend dhe nga turistët, shkruan Portalb.mk.
Rrugët e tilla, përbëjnë sfidë të vërtetë dhe pasiguri edhe për automjetet por edhe për këmbësorët, të cilët ndajnë të njëjtën rrugë.
Portalb.mk anketoi disa prej vizitorëve që hasi në vendin turistik, për të marrë mendim nëse janë të kënaqur nga infrastruktura që ofron Kanioni i Matkës.
“Është për tu ardhur keq që një vend turistik aq atraktiv siç është Matka është lënë në mëshirën e fatit pa ndonjë plan serioz për t’u investuar ose ndonjë tentim për të përmirësuar gjendjen aktuale e cila mbretëron në Kanjonin e Matkës. Jam i bindur se shumë vende tjera do të kishin bërë çmos që në gjirin e tyre të kenë një vend të tillë dhe të njëjtin do ta kishin shndërruar në një atraksion të vërtet për qytetarët vendor por edhe të huaj. Por, ja që dikush edhe pse e posedon të njëjtën nuk dinë se si të menaxhoj me të dhe nuk është në gjendje fillimisht të përfitojë për vetveten dhe pastaj t’u ofroj qytetarëve një vend të mirë ku ato mund të rekreohen. Kisha dashur që autoritetet komunale por edhe ato të qytetit të Shkupit të bëjnë një përpjekje më tepër për të përmirësuar kushtet në Matkë ngase shkupjanët por edhe qytetarët e vendeve tjera si dhe turistë të huaj kanë nevojë për një vend si Matka ku do të mund të dalin dhe të rekreohen”, thotë një qytetar.
Qytetarët e anketuar shprehën pakënaqësi edhe sa i përket problemit të parkingut në këtë vend.
“Rrugët janë të shkatërruara, të ngushta dhe ka probleme me vendparkimin. Një dhuratë e tillë nga natyra, nuk guxon të lihet pa investime në infrastrukturë- parasegjithash rrugore. Duhet të krijohen kushte për vizitorët, pasi në një ditë të diel, kur ka vizitorë edhe nga jashtë, një shkupjan që vendos të shkoj pak më vonë, e ka thuajse të pamundur të arrijë në pikën turistike!”, deklaroi për Portalb.mk një qytetare.
“Një vend turistik aq i bukur sa është Matka, nuk e meriton atë infrastrukturë që e ka aktualisht. Rrugë të ngushta, të groposura janë tmerr për turistët që vizitojnë këtë vend rekreativ. Ato nuk janë të përshtatshme as për të ecur në këmbë dhe as me veturë. Ndoshta ky është shkaku që shpesh herë e ndërrojmë destinacionin nëse duam të shkojmë atje dhe në vend të saj zgjedhim të shkojmë diku tjetër. Pastaj parkingu është problem shtesë. Posaçërisht ditëve të fundjavës atje bëhet një kaos i vërtetë”, deklaroi një qytetare tjetër.
Kujtojmë se, Kanioni i Matkës qysh nga viti 2004 është duke pritur që të shpallet sërish zonë e mbrojtur si monument i natyrës.
Ndërkohë, përpos infrastukturës së dobët, në këtë vend turistik vazhdojnë të paraqesin problem edhe aktivitetet ilegale që kryhen, të cilat janë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e natyrës.
Përderisa kanioni Matka pret procedurat administrative për t’u rishpallur zonë e mbrojtur, në liqenin e Matkës vazhdojnë të jenë prezente barkat me motor të cilat janë të ndaluara rreptësisht sipas vendimit për shpalljen e Matkës një monument natyror. Po ashtu, edhe pas ngritjes së dy akuzave nga ana e Prokurorisë Publike në lidhje me platformat ilegale në Matkë, objektet vazhdojnë të jenë të “palëkundshme” mbi ujë, ndërsa uzurpatorët nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për t’i larguar të njëjtat
Sipas vendimit, të publikuar në Gazetën Zyrtare në maj të vitit 1994, i cili është ende në fuqi, në kanjon që është rezervat unik natyror, jo vetëm që ndalohet çfarëdo ndërtimi dhe aktivitete ndërtimore me të cilat do të çrregullohej integriteti dhe pamja e këtij monumenti natyror, por ndalohet edhe lëvizja e vizitorëve pa njoftim paraprak.