Seanca e sotme gjyqësore për rastin “Target-Fortesa” është shtyrë për shkak se ish-drejtori i DSK-së, Saso Mijalkov, ka simptome të kovid-19 dhe sot do të testohet. Paraprakisht, bashkëshortja e tij kishte rezultuar pozitiv me virusin korona, shkruan Portalb.mk.
Për këtë, avokati i Mijalkov sot në sallën e gjyqit informoi trupën gjykuese se gruaja e Mijalkov kishte rezultuar pozitiv me kovid-19 me çka do të testohej edhe ky i fundit.
Sipas informacioneve të fundit, te Mijalkov janë shfaqur simptome të kovid-19 si koll i thatë dhe temperaturë.
Sot në seancën për rastin “Target” ishte paraparë të dalin dëshmi materiale, si dhe dëshmia e ministrit të drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Përveç Mijalkov, të akuzuar në këtë rast janë edhe ish ministrja e punëve të brendshme tanimë e burgosur për një rast tjetër, Gordana Jankulovska, shefi i kabinetit të Mijalkov, Toni Jakimovski si dhe disa persona tjerë të DSK-së. Të akuzuar janë edhe tanimë të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski.
Ndryshe, ky rast tani është në duart e prokurorisë të rregullt pasi u morën kompetencat e prokurorisë speciale. Sipas akuzës, përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimeve, gjatë periudhës nga 2008 deri në vitin 2015 janë përgjuar në mënyrë të jashtëligjshme 4,286 numra telefonik.