RMV, Ministritë nuk e zbatojnë në tërësi ligjin e gjuhëve, madje as ministrat shqiptarë

Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% (gjuha shqipe) e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj. Por lë shumë për të dëshiruar zbatimi i saj në këto institucione, njofton Portalb.

Sa zbatohet në realitet ky ligj nga institucionet e vendit?

Në këtë analizë, do të përqendrohemi në disa ministri që janë drejtuar nga shqiptar dhe jo-shqiptar. Sa gjen zbatim shqipja kur dikasteri kalon nga njëri në tjetrin udhëheqës. Ministritë qe udhëhiqen nga shqiptaret, kumtesat, përveç në gjuhën maqedonase i dërgojnë edhe ne shqip, ndërsa akoma edhe pas më shumë se një viti të hyrjes në fuqi të Ligjit të gjuhëve, një pjesë e mirë e arkivit të dokumenteve, strategjive apo programeve i kane vetëm në gjuhën maqedonase. Pjesa e dërgimit dhe komunikatave apo njoftimeve të tjera në gjuhën shqipe është për tu përshëndetur, por jo i kënaqshëm, sepse akoma nuk zbatohet ligji, pikërisht nga ata që sjellin ligje.

  • Ministria e Punëve të Jashtme– në ueb faqen e saj, e cila aktualisht drejtohet nga Bujar Osmani, vërejmë zbatim të aty-këtushëm të gjuhës edhe pse akoma një pjesë bukur e mirë e dokumenteve dhe raporteve të publikuara, janë vetëm në gjuhën maqedonase. Por ndërkohë, kur bëhet një krahasim për sa i përket zbatimit të gjuhës në këtë ueb faqe, në kohën kur ministër i Punëve të Jashtme ishte Nikolla Dimitrov dhe tani që është Bujar Osmani ka një dallim të theksuar në zbatimin e gjuhës shqipe. Po të kontrolloni në dokumentet dhe raportet e publikuara në kohën që ministër i këtij dikasteri ishte Nikolla Dimitrov, nuk do të gjeni pothuajse asnjë dokument në gjuhën shqipe. Megjithatë mbetet ene shumë për tu bërë.
  • Ministria e Financave njëjtë ndodh edhe me Ministrinë e Financave, e cila paraprakisht drejtohej nga Nina Angellovska, ndërsa aktualisht nga Fatmir Besimi. Po të shikosh në ueb faqen e kësaj ministrie, në tabelën e publikimeve, nuk gjen asnjë dokument në gjuhën shqipe, megjithatë në arkivin e kësaj ministrie sërish mund të gjesh raporte e dokumente të tjera në gjuhën shqipe, por jo të gjitha që janë edhe në gjuhën maqedonase. Sidoqoftë në tërësi faqja ka edhe përmbajtje në gjuhën shqipe, krahasuar me kohën kur ky dikaster udhëhiqej nga Angellovska.
  • Ministria e Ekonomisë– i njëjti rast vijon edhe me Ministrinë e Ekonomisë të drejtuar nga Kreshnik Bekteshi. Përgjithësisht ka zbatim të gjuhës, por sërish dokumentet, projektet apo strategjitë e publikuara i gjen vetëm në gjuhën maqedonase, por jo edhe në gjuhën shqipe.
  • Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në ueb faqen se saj ka një përmirësim të dukshëm në përdorimin e gjuhës shqipe dhe përmbajtjet që gjenden aty, janë në të dy gjuhët. Nëse bëhet një krahasim midis kohës kur ministër i këtij dikasteri ishte Damjan Mançevski dhe tani që është Jeton Shaqiri, ka përmirësime të dukshme në këtë drejtim.
  • Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, e cila drejtohet nga Arianit Hoxha, ndërsa më parë nga Ljupço Nikollovski, në ueb faqen e saj të versionit në gjuhën shqipe, i mungojnë shumë elementë të përgjithshëm që duhet ti përmbajë një ueb faqe, krahasuar me versionin në gjuhën maqedonase. Për shembull, pjesa e dokumenteve, ku publikohen strategjitë, programet, ligjet etj., nuk ekziston fare në gjuhën shqipe. Gjithsesi është shumë shpejt për të thënë se nuk është punuar fare në këtë drejtim, por mbetet të shihet se çfarë progresi do të ketë periudhën vijuese.
  • Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e cila drejtohet nga Naser Nuredini, në ueb faqen e saj ka më shumë përmbajtje në gjuhën shqipe edhe pse jo të gjitha që janë edhe në gjuhën maqedonase. Është logjike që të ketë përparim, ndoshta jo aq sa edhe duhet, në ueb faqen e kësaj ministrie, pasi drejtohet prej vitesh nga shqiptarët.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ndërkohë, pothuajse nuk ka asgjë të publikuar në gjuhën shqipe. Ndërsa Ministri e Punës dhe Politikës Sociale, nuk ka aspak version shqip të ueb faqes.

Ndërsa në ueb faqet e ministrive të tjera, që aktualisht drejtohen nga maqedonas, si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë ,Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Ministria e Kulturës, përveç lajmeve të përditshme për aktivitetin e ministrave pothuajse nuk ka asnjë dokument në shqip, përveç disave që janë publikuar në kohën kur këto ministri udhëhiqeshin nga shqiptarët.

Versioni shqip i ueb faqjes së Qeverisë, nuk është tërësisht funksionale, përkthimet janë të pjesërishme, ndërsa edhe ato që bëhen janë me vonese.

Mbi dy vite më parë nga Qeveria premtuan se do të bëjnë ueb-faqe në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht, megjithatë edhe pse e përmbushën këtë premtim, ueb-faqja në gjuhën shqipe shumë pak përditësohet, gjegjësisht pjesët e ueb-it janë të përditësuara, megjithatë lajmet dhe kumtesat e përditshme nuk nixrren në kohë reale.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për dallim nga paraardhësi i tij, Gjorge Ivanov, premtimin e një viti më parë, që ueb-faqen e tij zyrtare, përveç në gjuhën maqedonase dhe angleze, do ta ketë edhe në gjuhën shqipe, tashmë e ka përmbushur, megjithëse ka mangësi akoma.

Drejtori i Agjencisë për Gjuhën Shqipe, Ylber Sela

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela në një prononcim për Portalb, lidhur me këtë problematikë, deklaroi se kjo agjenci vepron vetëm nëse ministritë u kërkojnë mbështetje për përkthimin e formularëve, dokumenteve dhe ngjashëm. Përgjegjësinë, gjegjësisht vëzhgimin në terren të zbatimit të gjuhëve, tha Sela, e ka Inspektorati i Gjuhëve, që institucionet të cilat nuk e kanë ueb faqen në gjuhën shqipe, memorandumet në gjuhën shqipe, materialet në gjuhën shqipe, ligji e përcakton qartë që Inspektorati i Gjuhës, i cili pas vëzhgimit në terren, duhet të gjobisë me nga 5000 euro institucionet të cilat nuk e zbatojnë gjuhën shqipe.

Lidhur me pyetjen nëse ata si agjenci kanë pasur kërkesa për mbështetje në këtë drejtim, ai u shpreh:

“Kërkesë për mbështetje nuk ka pasur nga ministritë. Ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo institucion që kërkon ndihmën tonë, për përkthim dhe lekturim”.

Ndërkohë, drejtori i Inspektoratit të Gjuhëve Fatmir Iseni, në një prononcim për Portalb.mk tha se institucioni që drejton ai akoma nuk ka filluar punën për shkak se tani pritet të fillojë përgatitja, trajnimi dhe licencimi i inspektorëve, pas çka do të fillojë edhe inspektimi i zbatimit të gjuhëve.

“Unë nuk kam pasur ndonjë ankesë nga institucionet. Unë si drejtor u emërova më 28 dhjetor të vitit 2019 dhe menjëherë fillova fazën e përgatitjes së Inspektoratit në Regjistrin e Qendror, pastaj fazën e përgatitjes dhe sistematizimit. Më 14 shkurt kam hapur konkursin e parë, pas çka filluan edhe përgatitjet për zgjedhje të parakohshme dhe pandemia e cila na shkatërroi gjithçka, dhe prej atëherë e deri para disa javësh e kam pas konkursin e bllokuar, jo vetëm unë por shumë institucione ishin të bllokuara. Tani për inspektorët do të fillojë përgatitja, trajnimi dhe licencimi, pas çka do të fillojë edhe inspektimi i zbatimit të gjuhëve. Ka pasur ankesa dhe të njëjtat janë të arkivuara dhe institucionet e para të cilat do të inspektohen janë ata për të cilat kemi pasur më shumë ankesa”, deklaroi Iseni.

Lidhur me pyetjen sa a është gjobitur a sanksionuar ndonjë institucion për shkeljet që po bëhen në këtë drejtim, ai mohoi, duke u arsyetuar si më sipër, se institucioni që drejton ai nuk është akoma i përgatitur për të ndërmarrë veprime të tilla. Por, bëri thirrje që qytetarët apo kushdo tjetër, të adresojnë ankesa për sa i përket mos zbatimit të gjuhëve, që të kenë pasqyrë më të qartë për mos zbatim.

 Sipas ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, i cili ka hyrë në fuqi në janar të vitit të shkuar institucionet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj në: komunikim, përdorim dhe zbatim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin shtetëror (Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjyqësia, prokuroria publike), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë, në procesin zgjedhor, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, gjatë zbatimit të autorizimeve policore, në veprimtarinë radiodifuzive, noteri, përmbarim, objekte infrastrukturore, evidencën e amzës, dokumentet personale, financat, ekonomi, si dhe në sferat tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button