Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës ka reaguar pas arrestimeve të fundit në Kosovë në lidhje me rastet e Gjykatës Speciale, duke theksuar se UÇK ka qenë lëvizje vullnetare për liri e pavarësi të Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” apo për “Shtëpinë e verdhë”, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara”, deklaroi Thaçi.
- LEXO: U arrestua edhe Nasim Haradinaj pas Hysni Gucatit
- LEXO: EULEX-i bastisi zyrat e OVL-së së UÇK-së (VIDEO)
Ai theksoi se Kosova gjithmonë ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare.
“Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë”, deklaroi Thaçi.
LEXO: OVL e UÇK-së thotë se sërish pranoi dokumente të lidhura me Gjykatën Speciale
Ai vlerësoi se rrjedha e dokumenteve të fundit deri te OVL-UÇK, ka cënuar legjitimitetin e Gjykatës Speciale.
“E theksoj se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm”, vlerësoi Thaçi.
Thaçi vlerësoi se veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi.
“Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet”, deklaroi Thaçi.