Site icon PORTALB

Pabarazia e Gjykatës Supreme: Qytetari pret me vite, biznesmenët e funksionarët “kryejnë punë”

Gjykata Supreme - Shkup

Gjykata Supreme - Shkup

Gjykata Supreme mori vendim për lëndën “Trust” të biznesmenit Sead Koçan, 1 vjet e 7 muaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit, por kjo nuk ka ndodhur kur është fjala te lënda e qytetarit Naser Eshtrefi, familja e të cilit tanimë 5 vjet po pret para dyerve të gjykatës ku është pluhurosur lënda, shkruan Portalb.mk.

Qasja jo e barabartë e institucioneve gjyqësore ndaj qytetarëve, sigurisht se është një ndër arsyet kryesore se pse qytetarët nuk u besojnë atyre që duhet të ndajnë drejtësi. Vendimi për lëndën “Trust”, të një ish biznesmenit të “rëndë”, Sead Koçan, për të cilin “u flijua” kryetari paraprak i Supremes, Jovo Vangellovski, pasi e liroi nga paraburgimi, sigurisht se tregon për qasjen e kësaj gjykate ndaj lëndëve që i ka para vetes.

Gjykata e Apelit, më 11 mars të vitit 2019-të miratoi vendim për rastin “Trust” me të cilin biznesmenit Sead Koçan, ia uli dënimin e caktuar nga shkalla e parë (Gjykata Penale) prej 6 në 4 e 8 muaj. Menjëherë pas kësaj, Ekipi i avokatëve të Koçanit ka dorëzuar ankesë për këtë vendim te Gjykata Supreme për “rishqyrtimin e aktgjykimit të lëndës”.

Sot më 24 shtator, 2020, u publikua vendimi për lëndën e biznesmenit.

Tanku

Rasti i njëjtë ndodh edhe me rastin “Tanku”, në të cilin janë shpallur fajtor ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe ish ndihmësi i ministrit, Gjoko Popovski, për të cilën Supremja vendos në afat prej 1 vjet e 6 muaj për “rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm”.

Apeli ka vendosur për ankesën e palëve ndaj shkallës së parë, më 28 mars të vitit 2019-të, ndërkaq Supremja e ka shpallur vendimin ndaj ankesës më 18 shtator të vitit 2020

Por çfarë ndodh lëndën e një qytetari, familja e të cilit nuk ka lënë derë pa trokitur për të arritur deri te drejtësia?

Padyshim se rasti gjyqësor i Naser Eshtrefit e pasqyron (mos)funksionimin dhe (jo)efikasitetin e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, i cili së fundmi u dëshmua edhe me anketën e IRI-t, ku vetëm 3% të qytetarëve i besojnë gjyqësorit në RMV, rezultat i cili është më i dobëti në krahasim me vendet e rajonit.

Jemi në fund të muajit të nëntë të vitit 2020. Në vitin 2016-të, para 5 vitesh, familja e Eshtrefit, është ankuar në Gjykatën Supreme se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit i kanë dhënë dënim darkonik prej 14 vitesh burg, djalit të tyre, Naserit, për vrasjen e maturantit, Sasho Petkovski, në Gjorçe Petrov në vitin 2014-të. Gjykatësit ende nuk mundet të marrë vendim pasi që lënda qenka “komplekse”

Në vend, që Gjykata Supreme, sikur në rastin e biznesmenit, apo të atyre të “Tankut” 600 mijë eurosh, të miratojë vendim, nëse e pranon ose jo ankesën, për të hapur rrugë që pala të vazhdojë luftën institucionale në Strazburg, lënda për 5 vite shëtit duar më duar dhe në këto ditë të sotme, Supremja vazhdon të japë pyetje robotike “po punohet në rastin”. Siç thotë avokati i Naserit, Angel Georgiev: ““Rrymën elektrike ta shpiknim, deri më tani do ta shpiknin se si do të prodhohet”.

Si ka shëtitur “lënda”?

Për më shumë rreth rastit “Naser Eshtrefi”, lexo: KËTU

Exit mobile version