Site icon PORTALB

Pavarësisht protestave kundër tij, Lukashenka bëri betimin si president

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko/ Foto: AP

Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, është betuar për një mandat të gjashtë, gjatë një ceremonie të papritur, pavarësisht protestave masive kundër tij. Agjencia zyrtare e lajmeve BelTA raportoi se “disa qindra” zyrtarë të lartë ishin ftuar në ceremoninë e 23 shtatorit, megjithëse nuk njoftoi se kush ose sa prej tyre morën pjesë, shkruan REL.

Belta tha se Lukashenka vuri dorën e djathtë mbi kushtetutën dhe u betua.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Bjellorusi më pas i paraqiti atij certifikatën e Presidentit të Republikës së Bjellorusisë, shtoi ajo.

Lukashenka përballet me sfidën më të madhe të qeverisjes së tij 26-vjeçare mes protestave të pashembullta mbarëkombëtare kundër rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit që i dhanë atij një mandat të gjashtë, pesë-vjeçar.

Protestuesit bjellorusë i kanë bërë thirrje Lukashenkas të tërhiqet dhe të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke pretenduar se zgjedhjet ishin të manipuluara në favor të tij.

Lideri 66-vjeçar i është përgjigjur protestave paqësore me arrestime të dhunshme dhe ekzistojnë pretendime për tortura ndaj të ndaluarve.

Liderja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të mbajtur një inaugurim do të ishte “e paligjshme”.

Exit mobile version